​Kosovari i “Al Nusra” sërish shpërfill gjyqin e tij për terrorizëm

​Kosovari i “Al Nusra” sërish shpërfill gjyqin e tij për terrorizëm

Mungesa e të akuzuarit për vepra penale që lidhen me terrorizmin, Nexhat Ademi, ka bërë që të dështojë seanca e paraparë për të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Në sallë nuk po e shoh të akuzuarin, në seancën fillestare ai ka ardh me polici dhe më premtoi se herëve tjera do të vij, por nuk paska ardhur”, tha gjyqtari Vesel Ismajli.

Gjyqtari shtoi se për seancën e radhës, e cila u caktua për 17 nëntor të këtij viti, do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim për të akuzuarin, në mënyrë që të sigurohet prezenca e tij në gjykatë, shkruan Betimi për Drejtësi.

Mbrojtësi i Ademit, i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Samedin Cenaj, tha para gjyqtarit Ismajli se ai është munduar të kontaktoi me klientin e tij, por nuk ka arritur të bisedojë me të, pasi tha se në telefon është përgjigjur dikush tjetër.

Ndryshe, për po të njëjtën arsye kanë dështuar edhe dy shqyrtime fillestare më 3 dhe 17 korrik 2017, ndërsa në seancën 12 shtatorit, në të cilën ishte sjellë me detyrim nga policia, i akuzuari Ademi nuk e kishte pranuar fajësinë për veprën për të cilën është akuzuar.

Sipas aktakuzës, Nexhat Ademi, më 17 janar 2014, kishte bërë rrugëtimin Prishtinë-Stamboll-Siri me dashje që t’i bashkohet organizatës terroriste “Al Nustra”, e cila është e lidhur me organizatën “Al Kaida” dhe i njëjti qëndroi një javë në Siri, në territorin të cilin e kontrollonte kjo organizatë terroriste.

Prokuroria, pretendon se Ademi ishte kthyer përsëri në Kosovë, mirëpo më 4 mars 2017, i njëjti provoi që edhe një herë të shkoi në Siri, ku me të mbërritur në aeroportin e Stambollit, autoritet turke e kishin ndalur dhe e kishin dëbuar për shkak të lidhjes së tij me zonën e luftës.

Aktakuza, ndër provat në të cilat bazohet, parasheh disa video-incizime të vitit 2014 në youtube, në të cilat sipas prokurorisë, Ademi kishte bërë një përzgjedhje të fotografive, me logo të flamurit të të ashtuquajturit “Shteti Islamik”, fotografi të tij me Ridvan Haqifin dhe me një ushtar me armë dhe një kokë të prerë në duart e tij si dhe flamurin e SHBA-së duke u djegur.