​217 mësimdhënës do t’i nënshtrohen fazës së parë të vlerësimit

​217 mësimdhënës do t’i nënshtrohen fazës së parë të vlerësimit

Mësimdhënësit e Kosovës do t’i nënshtrohen një vlerësimi, proces ky i cili sipas ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, është një proces shumë i rëndësishëm për sistemin para-univerzitar në Kosovë ndërsa shtoi se janë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar faza e vlerësimit të mësimdhënësve.

Sipas tij ky vlerësim është i bazuar në 4 fusha dhe 7 standarde, ku mësimdhënësit do të duhet të plotësojnë këto kritere, të bazuara në kornizën e miratuar nga Ministria e Arsimit.

Bytyqi  sqaroi se për fazën e parë fillestare janë përzgjedhur edhe shkollat e para, dhe mësimdhënësit e parë që do t’i nënshtrohen këtij vlerësimi.

Bytyqi tha se pas vlerësimit mësimdhënësit do të ndahen në katër grupe në bazë të rezultateve që kanë treguar. Mirëpo, në rast të dështimit ata do të mund edhe të  paraqesin ankesë.

Njëra nga fazat e këtij procesi është edhe vetvlerësimi nga mësimdhënësit.

Drejtori i Inspektoriatit në MASHT,  Defrim Gashi tha se  faza e vetvlerësimit do të gjykohet nga vet drejtori i shkollës.

Komunat e para që do t’i nënshtrohen  procesit të vlerësimit të mësimdhënësve do të jenë: Prishtina, Drenasi, Mitrovica, Vushtria, Skenderaji, Gjakova, Prizreni, Gjilani dhe  Ferizaj.