​Hapja e ambasadës në Jerusalem, Reuters: Kosova ndjek shembullin e SHBA-së dhe Guatemalës

​Hapja e ambasadës në Jerusalem, Reuters: Kosova ndjek shembullin e SHBA-së dhe Guatemalës

Reuters në një artikull të vet ka shkruar për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, njofton Insajderi.

Kosova e ndoqi shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Guatemalës, duke u bërë kështu shtetet e vetme me ambasada në një qytet, statusi i të cilit është në zemër të konfliktit Izrael-Palestinë, shkruan agjencia e njohur ndërkombëtare.

“Kosova, me shumicë myslimane, premtoi që të vendosë ambasadën e saj në Jerusalem kur arriti marrëveshje diplomatike me Izraelin, nën sponsorizimin e SHBA-së”, thuhet në shkrimin e Reuters, i cili citon postimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës në Twitter, ku thuhet se “premtimi i dhënë në Zyrën Ovale sot është përmbushur përfundimisht”.

Ndryshe, Wasel Abu Youssef, anëtar i komitetit ekzekutiv të Organizatës Çlirimtare të Palestinës, deklaroi për agjencinë e lajmeve se hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem synon të “dobësojë çështjen palestineze”.

Të enjten, Republika Çeke hapi një zyrë diplomatike në Jerusalem, një degë e ambasadës së saj në Tel Aviv, një veprim që tërhoqi dënimin nga palestinezët dhe Lidhja Arabe. Ambasadat e tyre në Jerusalem i kanë hapur edhe SHBA dhe Guatemala.

Hapja e ambasadës kosovare në Jerusalem vjen pasi shtetit izraelit njohu pavarësinë e Kosovës./Insajderi.com