​Haradinaj: Vuçiq nuk mund ta mohojë se djemtë e UÇK-së e kanë përzënë nga Kosova

​Haradinaj: Vuçiq nuk mund ta mohojë se djemtë e UÇK-së e kanë përzënë nga Kosova

Në 21 vjetorin e rënies së komandantit të Brigadës 113, Mujë Krasniqi dhe 40 dëshmorëve të kombit, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se Aleksandër Vuçiq dhe kolegët e tij nuk mund ta mohojnë që djemtë e UÇK-së i kanë përzënë ata nga Kosova.

Në akademinë përkujtimore kushtuar 41 dëshmorëve të kësaj brigade, kryeministri ka thënë se shqiptarët nuk mund të thyhen nga askush, e këtë e dëshmon më së miri vepra e komandant Mujë Krasniqit.

Prej aty, kryeministri i Kosovës i dërgoi porosi presidentit serb Aleksandër Vuçiq, i cili ditë më parë shprehu mohim për masakrën e Reçakut, duke i thënë se nuk e mohon dot faktin që ushtarët e UÇK-së e kanë përzë nga Kosova.

“Vuçiqi, edhe kolegët e tij, Vulini e Daçiqi e të tjerë e mohojnë Reçakun, por një gjë nuk mund ta mohojnë, djemtë e UÇK-së e kanë përzënë prej Kosovës, pra edhe Milloshin edhe Vuçiqin edhe krejt. Tash ai prej atje le t’i mohon, por a mund ta mohojë këtë, që dikur këtu ka qenë ai këmbëkryq, nuk është më”, ka thënë Haradinaj.

“Ju e dini Grandin kush ka qëndruar në Grand, shtabi i kujt ka qenë, nuk janë më, le që nuk kanë me kthy më, por ne kemi me u forcuar si popull në të drejtën tonë gjithë. Kush mundohet me thy shqiptarin, le të mëson pak prej historisë, nuk ka kush që e thyen shqiptarin, nuk ka mundur kurrë askush me lëkundë shqiptarin në të drejtën e vet”.

“Pse nuk mundet, veç merreni shembullin e Mujë Krasniqit, në çdo luftë, çdo ushtri, atë njeri e kishin hek prej frontit, fizikisht ka qenë i paaftë me luftuar, ai ka qenë i plagosur rëndë, ka qenë njeri me qëndrua shtritë në spital, ai vet ka marrë vendim, jo vetëm m e u ngarkuar me armë, por edhe me hy në vija të luftës”.