Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar një video-bisedë me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Shtetit të Katarit, Sheikun Mohmmed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, njofton Insajderi.
Sipas një komunikate të MPJ-së, Haradinaj-Stublla ka falënderuar homologun e saj për mbështetjen e vazhdueshme ekonomike të Katarit për Kosovën, si dhe për përkrahjen politike në shumë procese të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
“Hapja e Ambasadës sonë në Doha në vitin 2019 është shprehje e lartë gatishmërie për të avancuar më tej marrëdhëniet tona dypalëshe. Andaj, me homologun tim nga Katari sot u akorduam edhe për finalizimin e shumë marrëveshjeve bilaterale në fushën ekonomike, tregtare, konsullore, dhe kulturore të cilat janë në fazën finale të negocimit”, tha kryediplomatja e Kosovës. /Insajderi.com