​“Kosova nuk mund të mbështetet vetëm në donacione për vaksinat anti-Covid”

​“Kosova nuk mund të mbështetet vetëm në donacione për vaksinat anti-Covid”

Përfaqësues të mjekëve po thonë se Kosova nuk duhet të mbështetet në donacione, meqë mund të jetë prioritet në rajon, por jo edhe në nivel global. Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se tash e sa kohë janë duke diskutuar me partnerë ndërkombëtarë për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19.

Ditë më parë drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani pati deklaruar se Kosova do të jetë ndër vendet prioritet që mund t’i afrohet vaksina. Kështu ai u zotua se Kosova do të jetë e përgatitur edhe për valën e dytë ose të tretë të pandemisë COVID-19.

“Ne shpresojmë që në fillim të sezonit dimëror, së pari do të vaksinohen popullata e ndjeshme, dhe sipas indikacioneve epidemiologjike për gripin sezonal. Dhe së dyti së shpejti pritet të dalë vaksina COVID-19, dhe Kosova është ndër vendet me prioritet që mund t’i afrohet vaksina. Dhe ne kemi bërë edhe planin për vaksinim të popullatës, së bashku edhe me vaksinën e gripit sezonal. Dhe si shtet besoj që jemi të përgatitur edhe për valën e dytë ose të tretë”, ka deklaruar ai.

Por, një deklaratë e tillë po shihet me skepticizëm nga kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, për çka thotë se institucionet shëndetësore nuk duhet të bazohen në donacione. Ai shton se Kosova mund të jetë prioritet për mbështetje në rajon, por jo edhe në botë.

“Gabim i madh i institucioneve të Kosovës është nëse mendojnë që çdoherë na sjellin donacione. T’i përgatitu ta kesh, por gjithsesi do të vijnë siç kanë ardhur përkundër përgatitjeve buxhetore që kemi pasur për pandeminë. Por, ato janë si ndihmesë, por jo të mbështetemi ne se do të sjellë babadimri. Ne nuk guxojmë të mbështetemi. Kosova në rajon mund të jetë prioritet për mbështetje, por jo në nivel global… Ne nuk guxojmë të mbështetemi vetëm në donacione”, thekson ai.

Sejdiu konsideron se Kosova duhet të ketë prioritet sigurimin e vaksinave. Ndër tjera, përmend edhe deklarata nga OBSH, ku thuhet se vaksinat mund të arrijnë në Kosovë pas gjashtë muajve. /Insajderi.com