​LDK kërkon nga Qeveria koordinim më të madh me SHBA-në për dialogun

​LDK kërkon nga Qeveria koordinim më të madh me SHBA-në për dialogun

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës koordinim dhe përfshirje më aktive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun me Serbinë, duke shfrytëzuar momentumin e krijuar me presidentin Joe Biden, pasi ndryshe nuk arrihet marrëveshja finale.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Faton Bislimi thotë se dy takimet e para të kryeministrit Kurti në Bruksel me palën serbe janë vazhdim i dialogut të mëhershëm, e jo proces i ri, siç ka deklaruar shefi i qeverisë.

Pavarësisht refuzimit të propozimeve të kryeministrit Kurti në procesin e dialogut, Bislimi thotë se nuk duhet të pritet që Serbia të pajtohet me to, por të insistohet në një marrëveshje që nuk cenon interesat e Kosovës.

Bislimi thotë se Kosova nuk e ka luksin dhe as komoditetin që të zhvillojë dialogun në pafundësi, ndërsa ftoi që të shfrytëzohet momentumi i krijuar me Joe Biden president të SHBA-së e që ka shprehur hapur se pret marrëveshje finale me njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë.

“KNe kemi fatin e mirë historik, por edhe tani veçanërisht që në SHBA kemi një president të ri të zgjedhur, Joe Biden, një mik i kamotshëm i Kosovës i shqiptarëve në përgjithësi. Ai në letrat e para zyrtare që i ka dërguar krerëve të institucioneve tona, ka thënë se presin një marrëveshje gjithëpërfshirëse finale që ofron njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është synimi, unë besoj që do t’i shërbente interesit nacional të Kosovës që delegacioni në Bruksel dhe çfarëdo formati të fokusohet në arritjen e këtij qëllimi”, deklaron Bislimi për Kp.

Bislimi deklaroi se dialogu e tejkalon cilëndo qeveri dhe parti, pasi është interes nacional. Ai tha se si LDK nuk do t’i shmangen përgjegjësisë, pasi edhe performanca në dialog do të jetë indikator kyç në imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Të hënën e kësaj jave, kryeministri Albin Kurti zhvilloi takimin e dytë në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Ndërsa është paralajmëruar se takimi i radhës pritet të jetë në muajin shtator./Insajderi.com