​Osmani pas takimit me Konjufcën: Do të përkrahim Kosovën në rrugën e integrimit euro-atlantik

​Osmani pas takimit me Konjufcën: Do të përkrahim Kosovën në rrugën e integrimit euro-atlantik

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka konfirmuar se do të japin mbështetje të palëkundur në rrugën e integrimit euro-atlantik të Kosovës, njofton Insajderi.

Osmani këtë konfirmim e bëri në takim me Kryekuvendarin e Kosovës, Glauk Konjufca, i cili sipas komunikatës nga Kuvendi, u karakterizua si një frymë konstruktive dhe e pajtimit të plotë mbi interesat reciproke të bashkëpunimit në mes të dyja shteteve.

Po ashtu, u konstatua se Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nuk kanë ndonjë çështje kontestuese e që do të mund të bëhej pengesë për ruajtjen dhe thellimin e këtyre raporteve të përbashkëta miqësore.

Konjufca gjithashtu u shpreh se fati i popujve të rajonit është i përbashkët, prandaj të tilla duhet të jenë edhe qëllimet.

“Në këtë kontekst, integrimi i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe avancimi drejt BE-së e bën më të sigurt edhe vet Kosovën si aspiruese e këtyre integrimeve”, tha Konjufca,.

Ministri Osmani e uroi kryetarin Konjufca për konstituimin e institucioneve të reja në Kosovë, duke besuar se tashmë stabiliteti institucional i Kosovës do të reflektojë edhe në intensifikimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.

Tutje, ministri Osmani e informoi kryekuvendarin Konjufca për fillimin e investimeve infrastrukturore që kanë nisur në Maqedoninë Veriore (vazhdimi i autostradës nga Bllaca në Shkup), e të cilat do ta lehtësojnë dhe rrisin volumin e bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve.

Konjufca i shprehu ministrit Osmani gatishmërinë dhe nevojën e bashkëpunimit të Kuvendit të Kosovës me Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, duke besuar shumë në dobishmërinë që do ta kishte për Kosovën njohja e përvojës së Maqedonisë Veriore në proceset transformuese legjislative drejt rrugës së integrimit evropian, rrugë nëpër të cilën synon të kalojë edhe Republika e Kosovës./Insajderi.com