Serbët e veriut të Kosovës edhe 19 vjet pas luftës vazhdojnë ta shpenzojnë energjinë elektrike dhe nuk e paguajnë KEDS-in, por energjia elektrike e shpenzuar në atë pjesë të Kosovës, iu faturohet qytetarëve tjerë të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duke synuar vendosjen e rregullit të pagesës në veri, në prill të këtij viti, pati deklaruar se do të hapin tregun me shpërndarës përmes shërbimeve tregtare.Ndonëse ka përmendur mënyrën se si do të mund të funksiononte një gjë e tillë, kreu i ekzekutivit ka thënë se deri më tash nuk kanë arritur të bëjnë një gjet ë tillë për shkak të rrezikut nga thyerja e ligjit.
KosovaPress është munduar të kuptojë se çka ka mundur të shkaktojë moszbatimin e ligjit në rast të vendosjes së rregullit të pagesës përmes shpërndarësve, porse nuk ka marrë ndonjë sqarim.
Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi ka bërë të ditur se Qeveria është duke u angazhuar që përmes dialogut teknik të zbatojë marrëveshjen për energji.
Në anën tjetër, këshilltarja e kryeministrit për Energji, Pranvera Dobruna nuk ka dashur të komentojë lidhur me mënyrën e pagesës së rrymës në veri, duke hedhur gjithë përgjegjësinë mbi ZRRE-n.Analisti serb nga veriu i Mitrovicës, Zhelko Tvërdishiq, ka bërë të ditur për KosovaPress se qytetarët në veri nuk janë në dijeni nga kush e shfrytëzojnë energjinë elektrike, nga Kosova apo Serbia.
Sipas tij, rryma e cila shërben për qytetarët e veriut vjen nga Serbia qendrore.Ai potencoi se duhet integruar në radhë të parë institucionet në atë pjesë, siç janë policia, gjykata, fakulteti dhe të ngjashme, për të cilat tha se nuk dihet nëse paguajnë energjinë dhe kujt ia paguajnë, e pastaj të flitet për qytetarët.
Sa i përket miliona eurove të Qeverisë së Kosovës për të cilat thuhet se po harxhohen për qytetarët e veriut dhe mbulimit të faturave të energjisë për ta, Tvërdishiq tha se këto janë vetëm spekulime, ngase, siç u shpreh ai, me ato para po mbulohen humbjet e KEDS-it në jug.Ai shtoi se zgjidhja e këtij problemi është marrëveshja e Brukselit, për të cilën tha se duhet akoma kohë deri sa të vihen në praktikë obligimet e të dyja palëve.
Ndryshe, që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1999, autoritetet kompetente për sektorin e energjisë e kishin të pamundur qasjen në veri të Kosovës dhe nuk arritën të lexojnë njehsorët, t’ua dërgojnë faturat qytetarëve në veri dhe as të mbledhin të hyrat për energjinë e shpenzuar atje.