
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një tryezë me njohës të arsimit për të debatuar mbi projektligjin për arsimin e lartë. Aty u theksua se ky projektligj ka mangësi të mëdha dhe duhet shqyrtuar me kujdes në mënyrë që të ndryshohet në disa pika me anë të amendamenteve.
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se problemet në arsim janë evidente. Sipas tij, cilësia e arsimit nuk është e mirë, ndikimet politike janë të larta dhe kushtet që mësojnë studentët janë të dobëta.
Konjufca theksoi se është e papranueshme mos diskutimi për ligjin e arsimit të lartë deri më tash. Ndërsa, sa i për ketë tryezës, ai tha se do TË shërbejë si platformë e opinioneve dhe sugjerimeve që partia e tij do të adresojë në Kuvend.
Konjufca: Problemet në arsimin e lartë janë evidente në Kosovë.
“Problemet në arsimin e lartë janë evidente në Kosovë. Ato fillojnë prej cilësisë të arsimit, pastaj meritokracisë akademike, ndikimit të drejtpërdrejt të pushtetit në Universitetit Publik, kushteve në të cilat mësojnë studentët si dhe inflacionin në universitetin publik. Është e papranueshme se sa pak debat ka pasur për këtë ligj sidomos në rrethet universitare. Studentët dhe profesorët fare pak kanë qenë të këshilluar sa i për ketë përmbajtjes së këtij ligji. Kjo mund të themi që është dhe arsyeja pse në këtë ligj, njohës të fushës kanë identifikuar defekte serioze”, tha Konjufca.
Ndërsa, udhëheqësi i komisionit parlamentar për arsim, Ismajl Kurteshi tha se ky komision ka shqyrtuar ne parim këtë projektligj, ndërsa pas kalimit në lexim të parë do të fillojë puna e mirëfilltë për ligjin e arsimit të lartë.
Sipas tij, komisioni do të punojë dy muaj në këtë ligj në mënyrë që të shqyrtohet ligji amendament për amendament. Ndërsa theksoi se komisioni ka të drejtë të propozojë deri në 40 për qind të ndryshimit të ligjit.
Kurteshi: Komisioni ka të drejt të propozoj deri në 40 për qind të ndryshimit të ligjit
“Pas kalimit në lexim të parë atëherë fillon puna e mirëfilltë e ligjit. Ne atëherë duhet të ftojmë një debat publik të organizuar nga kuvendi, nga komisioni për arsim dhe atëherë nga ai debat do t’i mbledhim dhe mendimet e të tjerëve që do të marrin pjesë, e nuk janë këtu sot. Komisioni do të punoj dy muaj në ligj duke i pasur parasysh propozimet e gjithë atyre që kanë kontribuar në propozime sa i për ketë këtij ligji dhe do të shqyrtoi ligjin amendament për amendament. Bazuar në ligj, komisioni ka të drejt të propozoj deri 40 për qind të ndryshimit të ligjit dhe kuvendi mund të aprovoj ose të propozoj që ligji të tërhiqet” , u shpreh Kurteshi.
Kurse, dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugoll tha se pavarësisht se edhe më herët kanë marr pjesë në proces ndryshimet e projektligjit për arsim të lartë, propozimet e tyre janë deformuar dhe nuk janë përfaqësuar si duhet.
Dugolli kishte një porosi për institucionet shtetërore që të fokusohen më shumë në sektorin publik se sa në atë privat.
Ndërsa, për trupën e Agjencisë Kosovare për Akreditim, dekani Dugolli tha se ministri nuk duhet t’i emërojë këta dhe duhet të ndryshohet në projektligj sepse po vendosen në direktiva politike.
Dugolli: Në shumicën e rasteve propozimet tona janë deformuar
“Në shumicën e rasteve propozimet tona janë deformuar dhe nuk janë përfaqësuar si duhet. Propozimi ekzistues, është e vërtetë që ka shumë propozime që kanë ardhur nga Universiteti i Prishtinës që janë inkorporuar dhe këtu duhet t’i përshëndesim që kanë pranuar t’i fusin këto. Por janë shumë çështje tjera që janë deformuar në versionin përfundimtar ose nuk janë futur fare. Sa i për ketë çështjes së sektorit privat, unë mendoj që trajtimi në mënyrë të barabartë është parim kushtetues por institucionet shtetërore duhet të angazhohen shumë më shumë në sektorin publik, ndërsa privatët kanë mundësi shumë… tek neni 13 ku flitet për Agjencia Kosovare e Akreditimit duhet të ndërpritet një praktik që ministri t’i emëroj këtë trup. Kjo është trupa më e rëndësishme… të gjitha ama bash të gjitha janë emëruar me direktiva politike edhe kjo tash dhe ato më herët”, deklaroi Dekani Dugolli.
Nga grupi për Studime Politike dhe Juridike, Rreze Hoxha u shpreh se vërejtjet e organizatës që përfaqëson në këtë projektligj janë më shumë te kompetencat e rektorit në vendosjen e dekanëve dhe shkarkimin e tyre.
Hoxha: Për thirrje në profesor të rregullt duhet kandidati të ketë pesë publikime
“Të përcaktohen dy paragraf të rinj me kompetencat e rektorit në lidhje me emërimin, refuzimin dhe inicimin e procedurës për shkarkimin e dekanit të njësisë akademike…për thirrjen në profesor të rregullt kandidati të ketë të publikuar së paku pesë publike në nivel ndërkombëtar si autori i parë ose korrespodent. Dy nga publikimet të jenë të botuara pas gradimit me titullin e fundit akademik ose të cilët kanë publikuar dhjetë ose më shumë publike në nivel ndërkombëtar”, u shpreh Hoxha.
Në dhjetor të vitit të kaluar projektligji për arsim të lartë është dërguar për lexim të parë në Kuvend.