1 milion euro e gjysmë të gatshme për të akuzuarit e Speciales

1.5 milion euro ishin ndarë në vitin 2016 nga qeveria e Kosovës, për persona që do të akuzoheshin nga Gjykata Speciale, lidhur me krimet e supozuar gjatë luftës në Kosovë.

1 milion euro e gjysmë të gatshme për të akuzuarit e Speciales

Ish-komandanti i LLapit, Rrustem Mustafa-Remi është personi i parë që ka marrë një ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale. Këtë e ka konfirmuar avokati i tij, Arianit Koci.

Pritet që së shpejti të nisin edhe aktakuzat e para nga Specialja ndërkohë që 1 milion e gjysmë euro janë para të gatshme të ndara nga qeveria e Kosovës, për mbrojtjen e të akuzuarve nga kjo gjykatë, shkruan Insajderi.

Qeveria e Kosovës në tetor të vitit 2016, kishte marrë vendimin për ndarjen e një fondi të veçantë për mbrojtjen e të akuzuarve në Gjykatën Speciale.

Personat të cilët mund të jenë akuzuar nga Gjykata Speciale, kanë të drejtë të bëjnë kërkesë për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësve të pavarur, në bazë të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave.

Me këtë fond po ashtu, mbulohen shpenzimet edhe familjarëve të tyre gjatë vizitave që do t’u bëjnë këtyre personave, të cilët do të përballen me procese gjyqësore në Hagë.

Përveç mbulimit të këtyre shpenzimeve Qeveria e Kosovës, siç ka thënë ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në rast se personat e akuzuar në fund shpallen të pafajshëm, do të kompenzohen.

“Ky ligj i mbulon shpenzimet e familjarëve të tyre që kanë të bëjnë me udhëtimet e tyre, sepse kemi të bëjmë me një gjykatë që tashmë ekziston jashtë Kosovës. U garantohet e drejta që t’i vizitojnë familjarët e tyre që janë të akuzuar në këtë proces. Po ashtu, na obligon që të kompensojmë edhe mbrojtjen e tyre që duhet t’u ofrohet”.

“Ndërsa, në momentin që ata shpallen të pafajshëm, ligji parasheh edhe kompensimin tyre, me një shumë të caktuar financiare, por tashmë nuk mund të flas se sa do të jetë dhe si do të jetë”, pati thënë ministri Tahiri. /Insajderi.com