
Rrugëtimi i shtetit të Kosovës, deri në shpalljen e pavarësisë ishte shumë i gjatë. U deshën pothuajse një shekull, që Kosova të realizojë ëndrrën e kahmoshtme të popullit të saj.
Gazeta Online Insajderi, iu sjell 10 datat historike të rrugëtimit për pavarësimin e vendit.
- Demonstratat e vitit 1968
Njëra ndër datat më historike për pavarësinë e Kosovës, është demonstrata e vitit 1968. Në këtë datë, Protestat e organizuara në qytetet më të mëdha si Prishtinë, Podujevë, Gjila, përkundër që patën disa viktima dhe dhjetëra të plagosur, ato arritën të ndryshonin statusin juridik të Kosovës. Ato ishin hapi i parë për kushtetutën, që i ndryshoi emrin Kosovës në “Krahina Socialiste Autonome e Kosovës(KSAK)”. Në po këtë vit gjuha shqipe u sanksionua me ligj si gjuhë e dytë zyrtare, u la të përdorej flamuri si simbol kombëtar dhe hapja e universitetit të Prishtinës.
- Demonstratat e vitit 1974
Për të shkuar pastaj tek viti 1974, që ndryshe njihet si viti i autonomisë së Kosovës. Edhe në këtë vit pati protesta masive, të cilat sollën frytet e autonomisë së vendit. Ku për të parën herë i jepet e drejta që përmes parlamentit të vet dhe këshillit ekzekutiv të nis në Gjyqin Kushtetues të Jugosllavisë procesin për vlerësimin e konstitucionalizmit dhe ligjshmërisë. Për të parën herë rrethi i veprimit të Kosovës përcaktohet me aktin e vet, ligjin kushtetues të saj, në pajtim me parimet e Kushtetutës së Jugosllavisë dhe Kushtetutës së Serbisë, përderisa federata mbron të drejtat dhe obligimet e veta të përcaktuara me Kushtetutën.
- Demonstratat e vitit 1981
Shtypja dhe respresioni serb vazhdimisht shkonte duke u rritur, dhe kjo detyronte kosovarët që të vetëm përmes protestave në rrugë t’i kërkojnë të drejtat e tyre. Protesta pati edhe gjatë vitit 1981, ku Lëvizjet studentore, marshuan qendrën e Prishtinës me kërkesën e vetme ndaljen e shtypjes së shqiptarëve të Kosovës, dhe kërkesa për të drejtat e tyre.
- 23 dhjetor 1989 – formimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës
Ndodhitë e kësaj kohe shtyri që më 23 dhjetor të vitit 1989 të themelohet Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila nuk ishte vetëm krijim i të parës parti politike me mbështetje të gjerë, por edhe të parës lëvizje që iu kundërvu drejtpërdrejtë regjimit komunist në fuqi. Kryetari i parë i saj ishte presidenti i ardhshëm i Kosovës, Ibrahim Rugova. Në kushtet e represionit serb, LDK u bë shumë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë, LDK-ja hartoi kornizën ligjore të decentralizmit.
- 2 korrik 1990 – formimi i Kushtetutës së parë të Kosovës
Nëse sot i gjithë debati bëhet për pavarësinë, ka pasur një datë kur Kosovarët thuajse e kanë arritur këtë. Më 2 korrik 1990 parlamenti i Kosovës harton të parën kushtetutë, ku përcaktohej pavarësia e Kosovës. Deklarata e pavarësisë ishte pikënisja e lëvizjes së përbashkët të partive poetike të Kosovës për rezistencë kundër pushtimit serb gjatë viteve 1990. Ideator i saj ishte kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova.
- 28 nëntor 1997 – formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Kur bisedimet nuk vlejnë më, atëherë e kanë radhën armët. Ushtria Çlirimtare e Kosovës u krijua pas viteve 1995, si përgjigje e represionit serb në Kosovë. Dalja e parë publike e saj u bë më 28 nëntor 1997. Sekretar Politik i saj u zgjodh Hashim Thaçi, ndërsa komandant i Shtabit të Përgjithshëm ishte, Agim Çeku. UÇK-ja ishte lëvizja e armatosur e kosovarëve që mori jehonë në mbarë botën. Sidomos pas 5 marsit të vitit 1998, në fshatin Prekaz vriten 50 shqiptarë dhe dy serbë nga luftimet mes ushtrisë serbe dhe familjes së komandantit legjendar, Adem Jashari. Shumica e viktimave në këto luftime ishin civilë të paarmatosur, gra dhe fëmijë, të cilët u masakruan nga bombardimet e artilerisë serbe. E jehona iu shtua sidomos në Janarin e vitit 1999, që njihet ndryshe si Masakra e Raçakut. Mëngjesin e 15 janarit në fshatin Raçak, forcat paramilitare serbe sulmojnë fshatin duke vrarë të gjithë burrat. Pasi i torturuan, i çuan më pas në një kodër, ku i vranë me gjakftohtësi. Asnjë prej viktimave nuk ishte i armatosur. Në Raçak u vranë 45 persona mes të cilëve një grua. E madje Ambasadori i OSBE-së, William Walker, këtë akt do ta cilësonte si një krim kundër njerëzimit.
- 24 mars 1999 – Sulmet e NATO-s
Serbët u kishin thënë “jo” bisedimeve në Rambuje. Ndërkohë që krimet në Kosovë vazhdonin nga ushtria serbe. Në këtë situatë më 24 mars 1999, NATO ndërmerr sulmin frontal ndaj ushtrisë serbe. Ishte a para betejë që u fitua nga ajri. Për 74 ditë me radhë avionët e NATO-s sulmuan të gjitha qendrat e ushtrisë së serbe në Kosovë dhe në Serbi. Bombardime u bënë dhe në Beograd. Duke krijuar kështu momentin e tërheqjes së ushtarëve serb nga Kosova.
- 28 tetor 2000 – Zgjedhjet e para në Kosovë
Prova e parë e aftësive shtetformuese të Kosovës u pa në zgjedhjet lokale të 28 tetor 2000. LDK-ja e Ibrahim Rugovës fitoi shumicën dërrmuese të njësive vendore. Por më shumë se fitorja e një force të moderuar rëndësi kishte zhvillimi i zgjedhjeve. Nga organizatat që monitoruan procesin zgjedhor, zgjedhjet e para të lira të popullsisë së Kosovës u klasifikuan të rregullta. Në zgjedhje morën pjesë 72 parti politike. E pas, mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, filloi “lufta” diplomatike për arritjen e momentit të shpalljes së pavarësisë.
- Viti 2006 – bisedimet e Vjenës
Ishte viti 2006, ku me iniciativë të bashkësisë ndërkombëtare, me kryeqytetin e Austrisë, Vjenën, dy delegacionet, ajo kosovare dhe serbe, me ndërmjetësim të dërguarit special të OKB-së, Marti Ahtisari, fillojnë bisedimet zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Delegacioni kosovarë në këto bisedime kishte këtë përbërje: Fatmir Sejdiu President i Kosovës, Agim Çeku kryeministër, Lutfi Haziri ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Blerim Shala, gazetar, Hashim Thaçi, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (partia më e madhe opozitare në atë kohë), Kolë Berisha kryetar i Kuvendit dhe Veton Surroi, Kryetar i partisë “ORA”. Sipas Ahtissarit dhe ekipit të tij synimi i propozimit të gjithanshëm për marrëveshjen mbi statusin e Kosovës është të përcaktojë kërkesat e nevojshme për një Kosovë të ardhshme që është e mundshme, e mbështetshme dhe e stabilizuar. Ai përfshin masa të hollësishme për të siguruar inkurajimin dhe mbrojtjen e të drejtave të bashkësive the anëtarëve të tyre, decentralizimin efektiv të qeverisë dhe ruajtjen e mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare. Për më tepër, Marrëveshja përshkruan masa kushtetuese, ekonomike dhe sigurie, të cilat së bashku synojnë të kontribuojnë në zhvillimin a një Kosove shumë-etnike, demokratike dhe të lulëzuar.
- 17 shkurt 2008, Shpallja e pavarësisë
Dhë më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës mblidhet për të shpallur pavarësinë e shtetit.
119 deputetët e Kuvendit, që ishin në seancën e jashtëzakonshme, unanimisht kanë votuar pro deklaratës së pavarësisë. Deklaratën e pavarësisë e lexoi i kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.
Festa dhe gëzimi i asaj të diele shkurt, ishte jashtëzakonisht i madh./Insajderi.com