Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar me 10 muaj burgim zyrtarin e Komunës së Prizrenit me inicialet N.M. për keqpërdorim të detyrës, njofton Insajderi.
Sipas njoftimit të gjykatës, i akuzuari është shpallur fajtor pasi në cilësinë e inspektorit komunal të ndërtimit, nuk ka marrë vendim për rrënimin e katit të tetë të një objekti në lagjen “Jeta e Re”, ku ky kat ishte pa leje.
“Në periudhën kohore prej vitit 2016-2017 në Prizren në cilësinë e personit zyrtar – inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin, respektivisht investitorët “………..” me pronar N.K., dhe investitorin “…….” me pronar S.V., në atë mënyrë që nuk ndërmerr konkluzion për rrënimin e katit të tetë (8) të kompleksit ndërtimor në lagjen Jeta e Re, i cili objekt ka pasur leje për ndërtimin P+B+7 dhe ka ndërtuar një kat pa leje P+B+8.
“Gjithashtu i akuzuari N.M., ka mundësuar që në objektin e banimit kolektiv në Prizren ndërtimin edhe të tre (3) kateve shtesë pa leje, ku leja e ndërtimit ka qenë B+P+2 ndërsa është ndërtuar B+P+5, me ç’ rast investitorëve i’ u mundësohet dobi një (1) kat në rastin e I-rë, dhe tre (3) kate në etazhitet të objektit në rastin e II-të”, thuhet në njoftimin për media.
Për këtë vepër, N.M., pos dënimit me burg, është obliguar që Komunës së Prizrenit t’ia kompensojë dëmin në vlerë prej 21.551 mijë euro dhe i është ndaluar ushtrimi i funksionit në administratën publike brenda dy vjetësh./Insajderi.com