Parcelat me kanabis, vaditeshin nga një sistem i mirë tubacionesh duke marrë ujin nga lumi dhe duke e dërguar në çdo rrënjë, për të garantuar një cilësi maksimale.
Kultivimi i kanabisit këtë vit ka qenë një sipërmarrje e mirëorganizuar. Top Channel ndoqi nga afër një operacion të forcave speciale në një zonë të thellë përgjatë shtratit të lumit Vjosë, ku u asgjësua një sasi rekord prej 40 mijë bimësh.
Një luginë e tërë e mbushur me 10 parcela me kanabis, një kamping ku punëtorët qëndrojnë për disa muaj dhe një investim që i kalon 200 mijë eurot, ishte panorama që të ofronin 3 orët e operacionit.
“Prej kohësh kishim një informacion, së bashku me palën italiane, që në këtë zonë kishte kultivim. Fillimisht siguruam zonën dhe kapëm majat pasi mund të na rrezikoheshin forcat”, tha Zëvendës drejtori i Policisë së Shtetit, Altin Qato.
Në terren zbritën edhe ministri Tahiri si dhe kryepolici Çako ndërsa snajperët e RENEAS vëzhgonin situatën, pasi trafikantët mund të hakmerren për ‘mundin e çuar dëm’. 4 të rinjtë nga fshatrat e Vlorës që u arrestuan pranë parcelave dhe që dyshohet se janë punëtorë, mohojnë të kenë lidhje me aktivitetin.
“Nuk kam lidhje. Se njoh kush i ka parcelat, s’na linin të kalonin këtu. Kemi katër orë na ka marrë policia dhe na ka lidhur këtu”, shprehet një prej të ndaluarve.
Parcelat me kanabis, vaditeshin nga një sistem i mirë tubacionesh duke marrë ujin nga lumi dhe duke e dërguar në çdo rrënjë, për të garantuar një cilësi maksimale.
Në këto parcela bimën kanë arritur në lartësinë 3 metra dhe në rast se parcela nuk do zbulohej trafikantët do ishin në procesin e korrjes. Parcelat rrethohen me tela pasi bagëtitë e zonës mund t’i dëmtojnë, por pranë tyre policia gjeti edhe gëzhoja armësh.
Ditët e fundit, policia ka intensifikuar operacionet antikanabis në mbarë vendin. Për këtë vit deklarohet se janë asgjësuar më shumë se 1.5 milionë bimë ndërsa si pasojë e prodhimit masiv, mësohet se në treg vlera e kanabisit ka rënë ndjeshëm. Por fitimi i lartë i këtij biznesi të paligjshëm dhe kostot e larta të operacioneve të tilla ligjzbatuese, e bëjnë betejën mes shtetit dhe industrisë së drogës, një betejë afatgjatë dhe jo të lehtë./TCH