10 viktima zhvarrosen gjatë germimeve në Kizhevak

10 viktima zhvarrosen gjatë germimeve në Kizhevak

Kushtrim Gara nga Komisioni qeveritar për të pagjeturit ka njoftuar se nga procesi i gërmimeve në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës mendohet se janë nxjerrë të paktën mbetjet mortore të nëntë personave, shkruan Insajderi.

Ai ka theksuar se nga ky proces janë identifikuar mbetjet e dy personave.

 “Janë nxjerrë së paku mbetjet mortore të së paku nëntë personave dhe një rast ribashkimi, pra gjithsejtë dhjetë persona. Nga procesi i zhvarrimeve i filluar në muajin nëntor janë identifikuar mbetjet e dy personave”, ka thënë Gara në RTV Dukagjini.

Ai ka deklaruar se së pari do të bëhet analiza e AND-së e më pas edhe identifikimi i mëtejmë i këtyre personave dhe se varreza masive në Kizhevak të Rashkës ka lidhje me varrezën masive në Rudnicë të Rashkës.

“Siç dihet nga varreza masive në Rudnicë të Rashkës janë gjetur mbetjet e 54 viktimave përfshirë edhe 29 viktima nga Masakra e Rrezallës. Aktualisht janë edhe shtatë persona nga Masakra e Rrezallës, vendndodhja e të cilëve nuk dihet, si dhe tri viktima tjera nga Rrezalla por që janë të zhdukura në data të ndryshme”.

Gara me tej, ka shtuar se me të identifikuar këto viktima do të njoftohen familjarët për të caktuar datën e rivarrimit.

Sipas tij, janë edhe disa lokacione të dyshuara në Serbi për varreza masive siç është Liqeni i Rudnicës apo disa lokacione në Novi Pazar./Insajderi.com