10 vjet burg për serbin që dhunoi një grua në Vushtrri gjatë luftës

10 vjet burg për serbin që dhunoi një grua në Vushtrri gjatë luftës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 10 vjet burgim, Zoran Vukotiqin për krime lufte ndaj popullatës civile, përkatësisht për dhunim seksual ndaj një gruaje shqiptare në komunën e Vushtrrisë, transmeton Insajderi.

Siç bëhet e ditur, ky është rasti i parë që dikujt i është shqiptuar dënim për një krim të tillë, nga gjykatat vendore në Kosovë.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës me anë të një njoftimi për media, thotë se nga ora 15:00 do të mbahet konferencë për media lidhur me vendimin e sotëm të Gjykatës.

“Gjithashtu, QKRMT ka bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Speciale dhe me vetë viktimën. Përveç ofrimit të rregullt të shërbimeve psiko-sociale, QKRMT ka asistuar dhe mbështetur viktimën në të gjitha etapat e procesit hetues dhe gjyqësor”, thuhet më tej në njoftimin e kësaj qendre.

Kjo qendër e konsideron drejtësi të vonuar, teksa shton se dita e sotme shënon “një moment kthese dhe shprese, jo vetëm për viktimën që njohu përdhunuesin dhe dëshmoi kundër tij, por për të gjithë të mbijetuarit tjerë, që një ditë drejtësia do të vihet në vend”. /Insajderi.com