10 vjet nga zgjedhja e Atifete Jahjagës presidente

10 vjet nga zgjedhja e Atifete Jahjagës presidente

Kanë kaluar 10 vjet që nga zgjedhja e presidentes së parë grua në Kosovë, Atifete Jahjaga, njofton Insajderi.

Me 80 vota pro Kuvendi i Kosovës zgjodhi ish-zëvendësdrejtoreshën e përgjithshme të Policisë s ëKosovës, Atifete Jahjaga, në postin e presidentes më 7 prill të vitit 2011.

Jahjaga ishte kandidatja e përbashkët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christopher Dell.

Ajo fitoi në rrethin e parë të votimit. Për kundërkandidate kishte deputeten e AKR-së, Suzana Novobërdaliun, e cila mori vetëm 10 vota, përderisa 10 vota të tjera ishin të pavlefshme.

Presidentja e zgjedhur, Atifete Jahjaga, dha betimin para Kuvendit se do të mbrojë Kushtetutën, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.

Procesi i votimit ishte bojkotuar nga Lëvizja Vetëvendosje. /Insajderi.com