100 ditët e Ramush Haradinajt si kandidat për kryeministër

100-shi është numri që në politikën kosovare i takon Ramush Haradinajt. Njëherë si kryeministër e tash si kandidat për kryeministër. 100 ditshin si kryeministër Haradinaj e ka përdorur si fakt për  të treguar se ai e meriton të jetë përsëri në këtë pozitë. Por tash e 100 ditë, nuk ia ka arritur

100 ditët e Ramush Haradinajt si kandidat për kryeministër

Ramush Haradinaj, kishte arritur të bëhej kryeministër i vendit me 3 dhjetor 2004. Këtë e kishte arritur duke qenë kryetar i partisë së tretë më të votuar në zgjedhjet e asaj kohe.

Ibrahim Rugova e kishte bërë Haradinajn kryeministër pasi ai me Hashim Thaçin nuk arrinin një marrëveshje.

Qeveria e udhëhequr nga Haradinaj kishte për detyrë që të siguronte që Kosova ti përmbushë disa standarde, para se të caktohej statusi i saj.

Standardet kërkonin themelim të institucioneve demokratike, liri të lëvizjes, kthim të të shpërngulurve, të drejtat për komunitetet, sundim të ligjit, etj.

Por kjo nuk ishte arritur. Në ditën e 95-të të qëndrimit në pozitën e kryeministrit, ende pa mbërritur 100 ditshin, një dokument i ardhur një mëngjes marsi 2005 nga Gjykata e Hagës që  akuzonte Haradinajn për krime lufte, ia ndërroi atij drejtimin.

Ai dha dorëheqje nga kreu i ekzekutivit më 8 mars 2005, duke shkuar vullnetarisht në Hagë bashkë me dy ish-luftëtarë të UÇK-së Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn.

Qysh atëherë Haradinaj nuk ka rreshtur së punuari në betejën e tij për t’u bërë kryeministër.

Kjo betejë e tij u duk se po shkon drejt fundit dhe fitores, kur në mesnatën e 16-17 majit të këtij viti -kur ishte koha e fundit e regjistrimit të koalicioneve në zgjedhjet e 11 qershorit –  Ramush Haradinaj në koalicion me Fatmir Limajn pranoi ofertën e Kadri Veselit për të garuar së bashku.

Profili i Ramush Haradinajt – Një jetë kushtuar postit të madh

Fakti se koalicioni PAN përbëhej nga partia kryesore në vend, PDK dhe dy partitë e tjera AAK dhe NISMA, ishte i mjaftueshëm që Haradinaj të prezantohej si kryeministër i sigurtë i Kosovës, pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Haradinaj krah për krah me Veselin nisën së bashku një kampanjë parazgjedhore në të cilën paraqiteshin si liderët që kanë guxim të bëjnë ndryshime dhe të marrin vendime të mëdha.

Vet Veseli e quante kryeministër Haradinajn në shumë paraqitje publike. Edhe Haradinaj në tubime parazgjedhore fliste si kryeministër.

Por dinamika e gjithë kësaj rruge të Haradinajt për tu bërë kryeministër ndryshoi pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Kolaicioni PAN nuk arriti të marrë shumicën. Qytetarët nuk e votuan masivisht këtë koalicion ashtu siç propagandohej nga tri partitë e koalicionit.

PAN 245 mijë e 627 vota apo 33.74 për qind. Me këtë përqindje fituan vetëm 39 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Vetëvendosje fitoi 32 deputetë ndërsa LDK në koalicion me AKR dhe Alternativa fitoi 29. Kësisoj, Haradinaj u përballë me një situatë që atij nuk i garantonte postin e kryeministrit.

Katër burrat që vendosën për votën e Teuta Rugovës

Dhe në këtë mënyrë, beteja e tij për të marrë këtë post filloi të bëhej tepër e vështirë. E tillë mbetet edhe në ditën e 24 gushtit, në ditën kur ai mbush 100 ditë si kandidat për kryeministër.

Dhe kjo betejë e futi atë në ujëra të rrezikshme. Për nga dinamika, ashtu sikurse thuhet të ketë qenë qeverisja 100 ditëshe e Haradinajt, ngjason shumë me këtë periudhë kur ai po tenton të bëhet kryeministër.

Dhe kjo dinamikë e tij u bë më e ashpër kur filloi gjuetinë e tij për deputetë nga koalicioni LAA.

Fillimisht targetoi Teuta Rugovën, vajzën e presidentit historik Ibrahim Rugova, i cili dikur e kishte bërë kryeministër. Madje në një vizitë të tijën në rezidencën Rugova, këtë gjë Haradinaj e përmendi edhe pas daljes nga shtëpia.

Haradinaj për të arritur deri tek rezidenca e Rugovës është ndihmuar nga sekserë me të kaluar kriminale sikurse Astrit Haraqija. Në rolin e sekserit ishte përfshirë edhe Dardan Gashi që më vonë doli të jetë i gatshëm edhe për postin e ndonjë ministrie në Qeverinë Haradinaj.

Gënjeshtra e Labinot Tahirit pas takimit me Ramush Haradinajn

Por në gjashtë seanca të Kuvendit, koalicioni PAN nuk arriti të bindi as Teuta Rugovën e as Labinot Tahirin, këngëtarin e turbo-folk muzikës i cili arriti të bëhej deputet përmes AKR-së.

Madje me 8 gusht, Haradinaj kishte takuar personalisht Tahirin në një hotel në periferi të vendit. Në atë takim, Haradinaj tentoi ta bindë atë që ta votojë për kryeministër.

Kësisoj Haradinaj ka hyrë në 100 ditëshin e dytë si kandidat për kryeministër. Ai ende nuk e ka të sigurt nëse do të marrë drejtimin e Qeverisë së Kosovës. /Insajderi.com