Partia e kryeministrit Isa Mustafa ka publikuar dy video në të cilat shihet sulmi me koktej molotovi në drejtim të shtëpisë së Mustafës.
Videot e publikuara edhe më herët nga media të ndryshme, janë dërguar si fakte në një komunikatë të partisë në të cilën thuhet se publikimi i këtyre videove bëhet duke marrë shkas komunikatën e fundit të partisë opozitare AAK.
“Me qëllim që të ndihmojmë në identifikimin e këtyre personave, po i bashkëngjisim edhe videot e sulmeve me molotovë mbi shtëpinë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, që eventualisht ndokush të ndihmojë organet e rendit duke identifikuar këta persona, të cilët kanë qenë në mesin e protestuesve në demonstratën e thirrur nga opozita, e cila eskaloi në dhunë ekstreme, në natën e 26 shkurtit 2016”, thuhet në komunikatë.
LDK ka shkruar se “duke marrë shkas nga një komunikatë e AAK-së lidhur me sulmin ndaj Presidencës, duke mos paragjykuar kryerësit e tij, thekson keqardhjen e saj se akte të tilla kriminale ka pasur në vazhdimësi në muajt e fundit dhe se pas tyre nuk ka pas distancim të qartë nga të gjitha subjektet”.
Partia e kryeministrit ka përmendur edhe sulmet e tjera të kësaj natyre drejtuar institucioneve dhe zyrtarëve të pozitës, duke aluduar përsëri tek opozita.
“Mos të harrojmë se së paku 6 çanta me 39 shishe koktej molotovi, Policia e Kosovës ka deklaruar se i ka gjetur edhe në tendat e ngritura në shesh si dhe më herët në selinë e një partie”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
LDK ka kërkuar nga partitë opozitare që të “distancohen përfundimisht nga këto veprime dhe nga diskursi i legjitimimit të gjuhës anarkiste të molotovëve e të gazrave helmuese në jetën publike e politike, duke u thirrur në kauza totalisht të paqena, e të cilat kanë neveritur qytetarët dhe partnerët tanë strategjik ndërkombëtarë, tash e sa muaj”.