104 mijë qytetarë do të mund t’i tërheqin veç 10 euro nga Trusti

Kuvendi të hënën ka votuat me 64 vota pro pas gjashtë dështimesh për projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Votimi i këtij projektligji mundëson edhe tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

104 mijë qytetarë do të mund t’i tërheqin veç 10 euro nga Trusti

Vetëm 10 euro nga Trusti do të mund t’i tërheqin 104 mijë qytetarë, kjo nëse Pako e Rimëkëmbjes, merr votat e deputetëve në lexim të dytë dhe ligji dekretohet nga presidenti i vendit, njofton Insajderi.

Këtë e ka bërë të ditur, zëdhënësi i këtij institucioni, Jeton Demi.

Ai ka thënë se që nga themelimi i këtij institucioni, bilanci i llogarive mbetet i ulët, teksa thotë se bilanci mesatar në Trust është pesë mijë euro.

“Për shkak të historikut që ende është i shkurtër prej që është themeluar në vitin 2001, kemi ende një bilanc mesatar të llogarive që është i ulët, e që është pesë mijë euro bilanci mesatar në institucion. I kemi nxjerrë disa llogari duke filluar nga 100 euro, ku bëjnë pjesë rreth 104 mijë kontribuues ose 13 për qind e totalit”.

“Nga 100 deri në 1 000 euro me bilanc janë rreth 213 mijë kontribuues ose 33 për qind e gjithë kontribuuesve. 49 për qind i krejt kontribuuesve që kanë më pak se 1 000 euro, që i bie se do të  marrin 100 euro nga kjo tërheqje”, tha Demi për EO.

E procesi i aplikimit për tërheqjen e 10 përqindëshit do të bëhet online, për ta evituar fluksin e madh të qytetarëve.

“Për shkak të pandemisë por edhe fluksit të madh që pritet të ketë për të aplikuar sipas rasteve që i kemi pasur më herët kur ka pasur deklarime që procesi do të jetë i shpejtë kemi pasur fluks të madh të kontribuuesve që na kanë vizituar, por duke pasur parasysh situatën që e kemi, mundësia pritet që tu jepet kontribuuesve që t’u jepet që të aplikojnë përmes internetit. Nuk do të kenë nevojë që fizikisht të vijnë për të aplikuar në zyrat e Trustit”, tha Demi./Insajderi.com