El Confidencial: Spanja do t’i respektojë të gjitha simbolet e Kosovës

El Confidencial: Spanja do t’i respektojë të gjitha simbolet e Kosovës

Spanja do t’i respektojë të gjitha simbolet e Kosovës në ndeshjen e 31 marsit e vlefshme për kualifikimet e kampionatit botëror “Katari 2022”, ka raportuar mediumi El Confidencial.

Më parë është raportuar se Federata Spanjolle ka përpiluar një protokoll ku Kosovën e konsideron si “territor” e jo si shtet – ndërsa, himnin si “muzikë”.

Kjo bëri që Federata e Futbollit të Kosovës të refuzojë që të udhëtojë në Sevilla për ta zhvilluar këtë ndeshje, nikoqiri i së cilës “ofendonte” shtetin e Kosovës, sipas FFK-së.

Ndërsa, tash gjithçka është rregulluar. Ndeshja luhet në mes dy shteteve të barabarta – me të gjitha simbolet.

Gazeta El Confidencial e konsideron këtë përballje sportive si një mundësi që të përmirësohen raportet në mes Kosovës dhe Spanjës.

Aty në artikull theksohet se UEFA dhe FIFA “e detyruan” Spanjën që ta pranojë Kosovën sipas standardeve të dy shtëpive më të mëdha të futbollit.

Spanja është njëra nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën. /Insajderi.com