11 kosovarë kthehen nga zonat e konfliktit në Siri, mes tyre një grua dhe disa fëmijë

11 kosovarë kthehen nga zonat e konfliktit në Siri, mes tyre një grua dhe disa fëmijë

11 shtetas të Kosovës janë kthyer së fundmi nga zonat e konfliktit në Siri, duke përfshirë këtu edhe një grua dhe disa fëmijë, transmeton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se me këtë rast MPB-ja jo vetëm që po e ushtron përgjegjësinë ndaj qytetarëve të Kosovës, por edhe si anëtarë të Koalicionit Global për ta mposhtur ISIS-in.

“Kosova është krenare që është lider global në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Sot, ne kemi kthyer 11 shtetas të Kosovës nga zonat e konfliktit në Siri. Duke i kthyer këta persona, ne jemi duke ushtruar përgjegjësinë tonë, jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, por edhe si anëtarë të Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in. Kosova gjithmonë do të jetë shtëpia e qytetarëve të saj. Ata të cilët kanë kryer krime, këtu apo jashtë, do të ndiqen penalisht”, ka shkruar Sveçla në llogarinë e tij në Facebook.

Tutje, ai ka shtuar se Qeveria është duke i ndihmuar shtetasit që të kthehen te familjet e tyre.

“Gruaja dhe fëmijët që kemi kthyer sot kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë. Ne kërkojmë nga të gjithë që të respektojnë privatësinë e tyre në ditët, javët dhe muajt në vazhdim. Ata kanë dhe meritojnë të kenë kohën dhe hapësirën e nevojshme që të adaptohen. Qeveria jonë është duke i ndihmuar që të kthehen në familjet e tyre, në mënyrë që ata të riintegrohen në rrethin e tyre. Ne nuk do të ndalemi së shërbyeri qytetarëve tanë!”, ka shtuar më tej ai. /Insajderi.com