11-vjeçari që u kidnapua në Shtime rrëfen ngjarjen – tregon çka i thanë kidnapuesit

11-vjeçari që u kidnapua në Shtime rrëfen ngjarjen – tregon çka i thanë kidnapuesit

Tre persona të maskuar e kanë futur me dhunë në një automjet xhip, pasditen e djeshme, 11-vjeçarin nga komuna e Shtimes, E.T. Me duar të lidhura, djalin e kanë dërguar në një lokacion disa kilometra larg shtëpisë së tij. Por vetëm disa orë pas, ai ka arritur që t’iu ikë personave.

E. T., 11-vjeç, bashkë me djalin e axhës Diartin, 18 vjeç, i cili kishte ardhur nga Belgjika pasditen e djeshme, kishin dalë për t’u shëtitur në rrethinën e qytetit të Shtimes. Ata kishin hyrë në një supermarket. Pas disa minutave ata kishin dalë jashtë. Por në rrugën “14 dhjetori”, tre persona nga një veturë e tipit “xhip” e kishin thirrur E.T. në emër, duke e ftuar që të shkojë me ta.

I mituri kishte refuzuar që t’i përgjigjej kërkesës së tre personave. Disa minuta më vonë ata me maska në fytyrë, me dhunë e kishin marrë 11-vjeçarin dhe me duar të lidhura e kishin futur në veturë. Djali i axhës së tij nuk kishte arritur ta shpëtojë atë e as t’ua marrë targat e veturës së të dyshuarve.

Ai ka thënë sot për Gazetën Express se nuk mban mend shumë gjëra nga ngjarja e djeshme, por rrëfen të gjitha ato gjëra që ka mbajtur në mend. Thotë se personat që e kidnapuan kishin qenë me maska.

“Dje rreth orës 19:30, nga një veturë e zezë një person ka thirrur emrin tim. Kur jam afruar për të parë, 3 persona me maska në fytyrë m’i kanë mbyllur sytë dhe gojën dhe më kanë futur në veturë”, rrëfen 11-vjeçari.

Ai thotë se nuk e di lokacionin se ku e kanë dërguar ata persona. Por që kujton se ka qenë një shtëpi e vjetër.

Të maskuar personat e kishin vënë 11-vjeçarin të lidhur në ulëset e pasme të veturës. Por vetëm disa orë pas, ai kishte arritur që ta shfrytëzojë mungesën e kidnapuesve dhe të ikë nga vendi. E gjithë ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:30. I mituri tregon se gjatë gjithë kohës, rrëmbyesit i kishin thënë atij se nuk kanë punë me të por me prindin e tij.

“Unë kam ikë. Njërën dorë e kam liruar nga litari dhe kam ikë. Kur kam shku te hekurudha kam arritë që me i gjetë policinë dhe zjarrfikësit”, thotë E. T., i cili vijon klasën e gjashtë. E disa orë pas rrëmbimit në telefonin e babait të tij, kishte shkuar një mesazh ku thuhet se rrëmbyesve do të duhej t’ua jepte 50 mijë euro në mënyrë që ai ta shohë djalin sërish.

 

 

11-vjeçari u kidnapua të dielën rreth orës 19:00, derisa Policia e Kosovës hapi rastin dhe filloi hetimet rreth një orë më vonë. /Insajderi.com