Menaxheri i qendrës së vaksinimit në sallën “1 tetori”, Bardh Nimani, njoftoi se që nga arritja e vaksinave Pfizer, janë vaksinuar një mijë e 900 punonjës mjekësorë, përcjell Insajderi.
Vetëm sot brenda ditës janë vaksinuar 300 punonjës shëndetësorë.
“Vetëm gjatë ditës së djeshme prej ora 08:00-19:30 kemi pasur gjithsej 940 të vaksinuar”, pohoi ai.
Menaxheri i kësaj qendre tha se numri i personave që janë duke pritur është i gjatë, por kjo është për shkak se vetëm salla “1 tetori” është duke funksionuar.
“Është shumë e vërtetë që ka radhë të gjata sepse kemi vetëm një pikë të vaksinimit që është salla ‘1 tetori’, për dallim nga faza e parë që ka qenë shtrirje në tërë Kosovën”, theksoi ai.
Ai shtoi se në bazë të numrit të vaksinave që kanë, procesi pritet të përfundojë brenda 3-4 ditësh.
Tutje, ai ka theksuar se nuk ka pasur asnjë raste të kundërshtimit të madh nga të moshuarit si dhe kanë pasur mirëkuptimin duke e ditur se në kontingjentit e radhës janë kategoria e të moshuarve që do të vaksinohen sipas planit të punës./Insajderi.com