Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se sot kanë ardhur 182 mijë e 900 doza të vaksinës “Astra Zeneca” që Norvegjisa ia ka dhuruar Kosovës, shkruan Insajderi.
Kontigjenti i vaksinave nga Norvegjia kanë mbërritur në Kosovë përmes transportit të organizuar nga institucionet e Bashkimit Europian.
Në pranimin e vaksinave në ambientet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, të pranishëm ishin, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl dhe Udhëheqësi i sektorit për Bashkëpunim i Zyrës së BE-së në Kosovë, Luigi Brusa.
Ministri Arben Vitia shprehu mirënjohjet më të sinqerta për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme të Norvegjisë dhe BE-së në përballjen me COVID-19, në mënyrë që të mbrojmë shëndetin publik.
Ambasadori i Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl theksoi se është obligim njerëzor të jemi pranë njërit tjetrit për të luftuar COVID-19 dhe të sigurohemi që të kemi bashkëpunim sa më të qëndrueshëm./Insajderi.com