Nëse kryeministri do të punonte

Përgjigje ndaj reagimit të kryeministrit Isa Mustafa kundër artikullit “Vëllai i kryeministrit Mustafa kërkoi azil në Francë dhe Gjermani”, të publikuar nga Gazeta Insajderi.

Nëse kryeministri do të punonte

Pakkush tregon histori pozitive pas daljes nga Qendra Klinike Universitare. Është e kundërta. Tregojnë tmerrin e përjetuar aty.  Për krijimin e këtyre rrëfimeve kanë investuar të gjitha qeveritë e pasluftës e deri tek Qeveria e Mustafës, e cila këmbëngul të udhëheq vendin deri në vitin 2018.

Për tmerrin në QKU dhe në të gjithë sistemin shëndetësor nuk është fajtor  vetëm qeveria Mustafa. Fajin më të madh e kanë paraardhësit e tij. Por kryeministri ka fajet e kopjimit të paraardhësve të tij.

Ai e ka ditur dhe ka mundur të shoh përditë hallet e qytetarëve që i udhëheq. Besoj se i  ka parë sa herë që është ulur për të shikuar lajmet e RTK-së.  Në fillim dhe në fund të edicionit tradicionalisht transmetohen kërkesat për ndihmë të qytetarëve që kanë nevojë për shërim jashtë vendit.

Jam i bindur që kryeministri ka qenë më kureshtar të mësojë se si i ka renditur RTK-ja promovimet që kanë bërë gjatë ditës Kadri Veseli, Hashim Thaçi dhe ai. Shpeshherë partia e tij ka reaguar ndaj renditjes jo të favorshme të lajmeve në televizionin publik. Më shpesh se sa për keq menaxhimet në sistemin shëndetësor.

Mos puna Qeverisë së tij në drejtim të përmirësimit të sistemit shëndetësor, argumentohet nga kërkesa për azil e vëllait të tij. Insajderi publikoi sot artikullin “Vëllai i kryeministrit Mustafa kërkoi azil në Francë dhe Gjermani.

Shumë komentues  në  “Facebook”, reaguan duke shkruar se pushtetarët tjerë do të kishin dërguar të afërmit e tyre në spitale të njohura.  Dhe, sipas tyre, kryeministri Mustafa nuk kishte përdorur fuqinë e tij prej kryeministri që ta bënte këtë për vëllain e tij. Por edhe nëse Mustafa do të përdorte ndikimin gjërat nuk do të kishin ndryshuar. Prapëseprapë sistemi shëndetësor do të mbetej i njëjti.

Kryeministri reagoi ndaj publikimit të Insajderit duke shkruar se autori i artikulli dhe mediumi mund t’ia rëndojnë dhimbjet vëllait të tij.

“Gjendja e tij është shumë e rëndë. Dyshoj se mund t’i ndihmoj as Vehbi Kajtazi me Insajderin, por mund të ia rëndoj dhimbjet e tij të mëdha”, shkroi Mustafa.

Nëpërmjet këtij shënimi Mustafa, në vend që të merret me kritikën për keq menaxhimin në sektorin e shëndetësisë, vendosi që ta kthejë në personale publikimin e artikullit.

Por artikulli i publikuar nga Insajderi është një kritikë për mos punën e Qeverisë Mustafa për sa i përket sistemit shëndetësor. Kjo mos punë ka bërë që shumë hallexhi të mësyjnë rrugët ilegale për të gjetur shërim jashtë vendit.

Mustafa po ashtu shënoi në Facebook se është i vetëdijshëm dhe se është duke punuar për të përmirësuar gjendjen e keqe  në shëndetësi.

Por nëse vërtetë kryeministri do të kishte punuar në këtë drejtim, atij nuk do t’i kishte rënë që sot të sqaronte opinionin për gjendjen e keqe të vëllait të tij dhe të sistemit shëndetësor.

Nëse kryeministri Mustafa do të lëvizte në drejtim të përmirësimit të sistemit shëndetësor, vëllai i tij nuk do të kishte nevojë që të kërkonte azil për shkak të operimit në zemër.

Nëse kryeministri do të punonte, nuk do të kishim nevojë askush nga ne që të vetmen zgjidhje për shërim ta kishim rrugëtimin nëpër malet e Serbisë e Hungarisë.

Por ne obligohemi që ta shkelim këtë rrugë derisa pushtetarët vazhdojnë të thyejnë rekorde të mos punës.