Mustafa mohon kërcënimin, Insajderi argumenton të kundërtën

Mustafa mohon kërcënimin, Insajderi argumenton të kundërtën

Kryeministri Isa Mustafa ka mohuar se ka kërcënuar gazetarin Vehbi Kajtazi, pasi ky kishte publikuar një hulumtim përmes të cilit njoftoi se vëllai i kryeministrit kishte emigruar ilegalisht në Gjermani.

“Qëndrimin tim e kam dhënë dje në Facebook, dhe i gjithë relacioni im me këtë rast është ai që e kam dhënë dje përmes deklaratës time në Facebook. Dmth, kam qenë i pakënaqur me atë çfarë ka ndodhur por natyrisht nuk jam unë ai i cili mund t’i rregullojë çështjet e individëve, çështjet e sëmundjeve”, ka thënë Mustafa kur është pyetur nëse ka kërcënuar gazetarin dhe kryeredaktorin e gazetës online Insajderi.

“Në asnjë rast nuk ju kam kërcënuar askujt dhe as nuk do t’i kërcënohem sepse unë dëshiroj që të kemi raporte shumë të mira me mediat dhe gazetarët, të përkrahim fjalën e lirë dhe të përkrahim punën e juaj”, ka thënë Mustafa.

Insajderi të dielën ka raportuar se njëri prej dy vëllezërve të kryeministrit Isa Mustafa ka kërkuar azil në dy shtete të Bashkimit Evropian: Francë dhe Gjermani. Vëllai i kryeministrit, Ragip Mustafa, kishte migruar me valën e refugjatëve për shkaqe shëndetësore.

Raportimi i Insajderit ka nxitur kryeministrin Isa Mustafa që të telefonojë autorin e hulumtimit, Vehbi Kajtazin, të cilin e ka kërcënuar dhe ofenduar. “Qen bir qeni, ke me e pagu shtrenjtë këtë,” ka thënë Mustafa përmes Viber-it.

Fyerjet e kryeministrit Mustafa kanë ngjallur debat publik. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka cilësuar si skandaloz reagimin e të parit të qeverisë.

Në anën tjetër, ashtu siç paralajmëroi të dielën, Vehbi Kajtazi ka lajmëruar rastin në Policinë e Kosovës.

“Sapo kam denoncuar në Polici, kryeministrin e Kosovës, z. Isa Mustafa për kërcënim ndaj meje. Rastin janë duke e hetuar hetuesit e krimeve të rënda në Policinë e Kosovës”.

“Pres prej Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës që të veprojë me të njëjtat standarde sikur në rastin e Alban Morinës, i cili ishte arrestuar, akuzuar, gjykuar e denuar brenda dy ditësh për shkak të një kërcënimi në Facebook që i kishte bërë djalit të kryeministrit, Besnik Mustafës dhe ministrit Arban Abrashi”, ka thënë Kajtazi.

Për shkak të mohimit të incidentit, Insajderi sjell të dokumentuar telefonatën që kryeministri i ka bërë të dielën gazetarit, Kajtazi./Insajderi.com