13 ditë – as sot, Kurti-Mustafa s’ndërmorën asnjë veprim për formimin e qeverisë

13 ditë – as sot, Kurti-Mustafa s’ndërmorën asnjë veprim për formimin e qeverisë

Albin Kurtit, të mandatuarit për kryeministër, i kanë mbetur vetëm dhe 13 ditë për krijimin e qeverisë.

Deri atëherë atij i mbetët të vazhdojë bisedimet me Isa Mustafën në tentim për ta arritur marrëveshjen e bashkëqeverisjes – bisedime këto që duket se kanë marrë teposhtëzen.

As sot, të dy liderët që për muaj tentonin bashkimin në pozitë – nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për krijimin e qeverisë.

Madje qëndrimet kundrejt njëri-tjterit duket sikur janë barrikaduar si asnjëherë më parë.

Kreu i LDK-së ka thënë dje se deri në fund të javës do të dihet nëse do të ndodhë ose jo marrëveshja me homologun e tij nga Vetëvendosje.

“Ne kemi dhënë një propozim që vlerësojmë se është shumë i balancuar që mendojmë se VV duhet ta trajtoj me vëmendje të veçantë dhe mbetemi të hapur që të ulemi të bisedojmë por ajo bisedë të ketë një përfundim me të shpejtë, mundësisht deri në fund të kësaj jave, në mënyrë që ta bëjmë marrëveshjen ose të konstatojmë se nuk ka kushte që marrëveshja të bëhet”, tha Mustafa para medieve, shkruan Insajderi.

Për këtë deklaratë nuk ka reaguar Albin Kurti, por disa nga vartësit e tij. Arbërie Nagavci ka bërë me dije se nuk heqin dore nga posti i kryeparlamentarit.

“Pajtohem plotësisht me deklaratën e zt. Mustafa: Të përkushtuar që të punojmë për një marrëveshje e cila respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar. Marrëveshja duhet të vë në pah një qeveri të balancuar dhe me përgjegjësi të balancuara mes dy palëve në harmoni me atë që qytetarët na kanë dhënë besimin e tyre…”

“Në linjë të njëjtë është edhe LV! andaj dhe në propozimet tona kemi ofruar që të ndajmë në mënyrë të barabartë marrjen e përgjegjësive në qeverisje, ose madje më shumë se balancim të qeverisjes duke i besuar LDK-së udhëheqjen e 6 ministrive përderisa ne do të qeverisim me 5 ministri”, thotë deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci, shkruan Insajderi.

Lëvizja Vetëvendosje para dy ditësh e ka çuar tek presidenti Hashim Thaçi propozimin për mandatar, emrin e Albin Kurtit.

Me rastin e dërgimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Me rastin e dërgimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Gepostet von Albin Kurti am Montag, 20. Januar 2020

Presidenti brenda pak orësh Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e ka dërguar zyrtarisht në Kuvend.

Albin Kurtit që nga i 20-ti i ka nisur rrjedhja e afatit kushtetues prej 15 ditësh për formimin e Qeverisë.

Ku ngeci marrëveshja për “koalicionin e shpresës?

Duket se takimi i fillimit të dhjetorit ndërmjet Albin Kurtit dhe Isa Mustafës “përçau” Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Dy partitë që tash e një kohë po tentojnë bashkimin për bashkëqeverisje, atë ditë nuk arritën të dakordoheshin kur erdhi puna te ndarja e posteve.

Pikërisht në atë moment – nisi saga VV-LDK – që tash e sa kohë s’ka fund, shkruan Insajderi.

Isa Mustafa, pasi që zgjodhi i pari ministrinë e Punëve të Brendshme, njëra nga ministrit të cilën vazhdimisht e kërkonte Vetëvendosje, e vuri si kusht edhe pozitën e të parit të shtetit.

Përçarja u thellua edhe më shumë, kur për postin e kryeparlamentarit u nominua Glauk Konjufca, i cili më pas mori edhe votat e LDK-së, ndonëse ku nominim kishte ndodhur pa dijeninë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Po pa dijeninë e Isa Mustafës, Albin Kurti përmes një video bëri të ditur edhe emrat e ministrave nga partia e tij.

Të gatshëm për qeverisje

Të gatshëm për qeverisje

Gepostet von Albin Kurti am Montag, 6. Januar 2020

Por, pas katër takimeve të pasuksesshme, në të cilat arrinin vetë të pajtoheshin që të takohen prapë, Kurti më 14 janar një ofertë të fundit siç thanë ata, përmes së cilës i propozonte Lidhjes Demokratike të Kosovës rritjen e numrit të ministrive.

Gazeta Insajderi e publikoi këtë ofertë, përmes së cilës LVV do të mbante pozitën e kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e 2-të, një nënkryetar Kuvendi dhe 5 ministrit që ishin marrë vesh më parë. Derisa LDK-së ia lenin, zëvendëskryeministrin e 1-rë, nënkryetarin e 1-rë të Kuvendit, 6 ministri dhe dy zv.ministra më shumë.

Po ashtu VV është pajtuar që LDK ta propozojë kandidatin për President i cili sipas VV-së plotëson të gjitha kushtet dhe te gjitha kriteret kushtetuese.

“Nëse, për çfarëdo arsye nuk zgjedhet Presidenti, atëherë LDK do ta marrë një ministri shtesë”, thuhej tutje në propozim, shkruan Insajderi.

Pas një dite, Lidhja Demokratike e Kosovës, po me shkrim i është përgjigjur propozimit të Vetëvendosjes.

Isa Mustafa, insiston të marrë pozitën e kryeparlamentarit që zyrtarisht nga 26 dhjetori e ushtron Glauk Konjufca.

“LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës)”, thuhet në propozimin e LDK-së, shkruan Insajderi.

Lidhja Demokratike, nuk është pajtuar as me rritjen e numrit të ministrive.

“Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët”, thuhet më tej në propozimin e LDK-së.

Mbetët të shihet deri në fund të javës dy liderët do ta bëjnë “hapin e madh”, apo gjithçka do të kthehet përfundimisht në “fillim”?/Insajderi.com