
Ndër mijëra qytetarë të Kosovës të prekur me Covid-19, janë edhe gratë shtatzëna, të cilat ndonëse të infektuara kanë arritur të kryejnë lindjet e tyre në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Që nga konfirmimi i rasteve të para me Coronavirus në Kosovë, deri më sot nga ky infeksion janë prekur 13 gra shtatzëna, të cilat kanë sjellë në jetë fëmijët e tyre.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka marrë të dhënë nga QKUK, respektivisht nga Klinika Gjinekologjike e Kosovës.
Drejtori i kësaj Klinike, Jakup Ismajli ka pohuar se në këtë repart janë trajtuar gjithsej 13 nëna që kanë qenë të infektuara me koronavirus, ku 8 prej tyre kanë kryer lindje me prerje cezariane dhe 5 të tjera me lindje normale.
“Nga 13 marsi deri sot janë kryer 13 lindje nga gra që kanë qenë pozitive me Covid-19. Prej tyre 8 me prerje cezariane dhe 5 lindje normale. Ndërsa nesër është në program edhe një lindje me prerje cezariane”, ka thënë Ismajli.
Drejtori i Gjinekologjisë tregon se pasi nënat kanë qenë me Covid-19 pas lindjeve janë testuar edhe fëmijët, por që fatmirësisht ata nuk kanë rezultuar pozitivë.
“Mund të konfirmojmë se nga fëmijët e testuar pas lindjeve në KOGJ nuk ka rezultuar asnjë fëmijë me Covid-19”, ka thënë ai.
Ndryshe në Kosovë nga muaji 1 marsi i këtij viti e deri më 30 qershor, në Klinikën Gjinekologjike të QKUK-së, janë kryer 2 mijë e 963 lindje. /Insajderi.com/