Chicago rrezikon play off-in

Surpriza në ndeshjet e djeshme të NBA-së, ku spikat humbja e Cleveland, që u mund 104-95 nga Brooklyn.

Chicago rrezikon play off-in

Kryesuesit e renditjes në Konferencën e Lindjes rrezikojnë seriozisht kreun (afrohet Toronto), ndërkohë që mbrëmë nuk bindën në fushë edhe pse LeBron James realizoi 30 pikë. Lopez me 22 pikë e Larkin me 16 pikë bënë diferencën në parket për Brooklyn, që korri fitoren e 20-të sezonale. Fiton edhe Indiana, 92-84 ndaj New Orleans, ndeshje që konsolidon pozitat e fituesve për një vend në play off në Lindje. Turner me 24 pikë e Miles me 19 pikë (e nisi ndeshjen nga stoli), ishin më të mirë për Indianën.

Në Perëndim, nuk ka surpriza, pasi fitojnë të dyja ekipet pretendente që zbritën dje në fushë. Oklahoma konfirmohet si forca e tretë, duke mundur 113-91 Utah Jazz, suksesi i 50-të sezonal për të. Gjashtë lojtarë të Thunder realizuan mbi 10 pikë, ku u dallua Durant me 20. Fitore të vështirë arritën Clippers, që mposhtën në fund 96-92 Portland, ndeshje me rivalitet dhe emocione. Paul dhe Crawford realizuan nga 25 pikë secili për kalifornianët në këtë suskes. Fiton edhe New York, 106-94 ndaj Chicago (Anthony 26 pikë), që me këtë humbje zbret në vendin e nëntë në Lindje.