Zëri: Armë e flamur i ISIS-it iu gjet të arrestuarve në Deçan

Raporti i balistikës dhe ekzaminimi i telefonatave do të tregojnë nëse me armët që iu gjetën të arrestuarve në afërsi të Manastirit të Deçanit, u gjuajt në dy sulmet në Gorazhdec apo në ndonjë sulm tjetër. Nëse kjo vërtetohet ata do të dyshohen për sulme terroriste. Ndryshe, Prokuroria po heton ata për armëmbajtje pa leje

Zëri: Armë e flamur i ISIS-it iu gjet të arrestuarve në Deçan

Një flamur i zi me mbishkrime në gjuhën arabe që besohet të jetë simbol i organizatës terroriste – “Shtetit Islamik”, është gjetur nga Policia gjatë bastisjes në shtëpinë e Kushtrim Kurtit nga Gjakova, që është njëri prej katër të arrestuarve në afërsi të Manastirit të Deçanit.

Megjithatë, Arben Ymeri nga Zllatari i Prishtinës, Alban Kelmendi nga Ferizaj, Kushtrim Kurti dhe Kushtrim Rama nga Gjakova në këtë fazë po hetohen vetëm për armëmbajtje pa leje, pasi që gjatë bastisjeve në veturën e tyre u gjetën armë, sikurse armatim është gjetur edhe gjatë bastisjes së shtëpive. Valbona Disha – Haxhosaj, prokurore e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka thënë për “Zërin” se meqë të dyshuarve iu është gjetur një sasi armatimi në momentin e arrestimit si dhe gjatë bastisjes, atëherë hetimet janë duke u bërë për armëmbajtje pa leje.

“Derisa të ekzaminohen provat tjera këta janë duke u dyshuar vetëm për armëmbajtje pa leje”, ka thënë prokurorja Disha – Haxhosaj, pa dhënë më shumë detaje në lidhje me rastin e as pa dashur të komentojë deklaratat në lidhje me organizimin e një grupi terrorist që synonte të sulmojë Manastirin e Deçanit