Forcat e Sigurisë së Kosovës do të kenë 14 automjete ushtarake të blinduara me pajisje të armatimit.
Kjo pasi Kosova e ka nënshkruar kontratën e blerjes me Turqinë.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Ibrahim Shala.
“Ministria e Mbrojtjes është në proces të implementimit të planit 10 vjeçar të tranzicionit të FSK-së, që nënkupton ndërtimin dhe zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale me resurset e nevojshme njerëzore, materiale dhe teknologjike dhe sistemeve të nevojshme të mbrojtjes për përmbushjen e misionit kushtetues dhe detyrave ligjore”, ka thënë Shala për klankosova.
FSK është duke u transformuar gradualisht në ushtri.
Qeveria ka premtuar se nga viti i ardhshëm do të ndahen më shumë se 100 milionë euro për FSK-në. /Insajderi.com