141 të vdekur dhe mbi 9200 raste me Covid-19 në 15 ditët e fundit në Kosovë

141 të vdekur dhe mbi 9200 raste me Covid-19 në 15 ditët e fundit në Kosovë

Ditëve të fundit është shtuar numri i të vdekurve dhe i rasteve të infektimit me COVID-19 në Kosovë.

Vetëm në 15 ditët e para të nëntorit 141 persona kanë vdekur, ndërkaq po për këtë periudhë janë regjistruar 9.275 raste të reja të infektimit. Megjithatë është rritur edhe numri i testimeve. Për të njëjtën periudhë janë kryer 24.490 testime. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, që nga fillimi i nëntorit e deri tash, janë 1.785 të shëruar, njofton Insajderi.

Komuna me më së shumti raste është ajo e Prishtinës. Në 15 ditët e fundit janë konfirmuar 1.227 raste të reja me COVID-19, duke bërë kështu që kryeqyteti bashkë me disa komuna tjera të hyjnë në zonën e kuqe.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për masa të reja për parandalimin e shpërndarjes së COVID-19. Nga dita e premte, 13 nëntor ora 18:00, kanë filluar masa më restriktive në komunat ku përhapja e infeksionit është e lartë, përkatësisht ku ka mbi 150 persona të infektuar për 100 mijë banor brenda javës.

Qytetet tjera në këtë zonë janë Peja, Gjakova, Ferizaj, Gjilani, Shtimja, Podujeva, Obiliqi, Fushë-Kosova, Mitrovica.

Që nga fillimi i pandemisë e deri tash, në Kosovë janë regjistruar 29.117 raste me COVID-19, janë shëruar 17.305 persona dhe kanë vdekur 822 persona. Raste aktive janë 10.990./Insajderi.com