Ish-kryetari i Lipjanit i akuzuar për keqpërdorime e quan LDK-në shërbëtore të Millosheviqit

Ish-kryetari i Lipjanit i akuzuar për keqpërdorime e quan LDK-në shërbëtore të Millosheviqit

Kryetari i degës së PDK-së në Lipjan dhe ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, shumë shpejt do t’i duhet që të përballet me drejtësinë pasi Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në shkurt të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj tij, por në kohë fushate po paraqitet krah për krah liderit të kësaj partie, Kadri Veseli.

Njëjtë ndodhi edhe të shtunën kur PDK-ja mbajti një tubim elektoral në Lipjan, ku i pari fjalën e ka marrë pikërisht Shukri Buja.

Ai në fjalën e tij ka thumbuar Lëvizjen Vetëvendosje me akuzën tashmë të njohur të PDK-së “për mos njohje të shtetit dhe simboleve shtetërore”, por ka bërë një akuzë të rëndë për partinë tjetër kundërshtare, LDK-në e Isa Mustafës.

Buja e ka quajtur LDK-në shërbëtore të Millosheviqit, raporton Insajderi.

“Ju bëjmë thirrje që të sqaroni qytetarët e pavendosur dhe të mendojnë para se të votojnë se kujt t’ia japin votën. Të mendojnë mirë. A duhet të votojnë për ish-ministrat e Qeverisë Morina, shërbëtorë të Millosheviqit, a duhet të votojë për sabotatorin e luftës, lirisë dhe ushtrisë, a duhet të votojnë për mosnjohësit e shtetit dhe sovranitetit apo duhet të votojë ata që tërë jetën punuan dhe sakrifikuan për liri”, ka thënë Buja.

Shukri Buja akuzohet nga Prokuroria se kishte ndryshuar destinacionin e 8 hektarëve të tokës në mënyrë që t’i lejonte një biznesmeni ndërtimin e një blloku banesor.

Një truall i blerë në ankand publik nga ATK-ja, e destinuar si tokë industriale në Lipjan, nuk i hynte në punë biznesmenit Fahri Retkoceri. Ai donte ta ndërtonte një objekt banimi aty. Por këtë se lejonte ligji. E kryetari i Lipjanit atë kohë, Shukri Buja, e ndryshoi destinimin e kësaj toke. Kjo i mundësoi biznesmenit që të filloj investimin e tij. Për këtë edhe Buja edhe biznesmeni do të përballen me drejtësinë.

Pavarësisht kësaj Buja është mburrur me qeverisjen e tij. Madje sipas tij Lipjani ka nevojë për qeverisjen e PDK-së.

“Të nderuar pjesëmarrës me PDK-në në udhëheqjen e shtetit, i kemi pasur investimet më të mëdha që ka pasur Lipjani në historinë e tij. PDK do ta rikthehej dinjitetshëm qeverisjen në Lipjan për t’ia kthyer Lipjanit investimet”, ka thënë Buja./Insajderi.com

Buja ndryshoi planin urbanistik që t’i lejonte biznesmenit të ndërtojë banesa në vend të fabrikës