Hyseni: Kemi identifikuar luftëtarët që janë kthyer nga Siria

Hyseni: Kemi identifikuar luftëtarët që janë kthyer nga Siria

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka thënë se ministria që ai drejton vazhdon të jetë e fokusuar në luftimin dhe parandalimin e terrorizmit.

Në konferencën ndërkombëtare “Germia Hill” që po mbahet në Prishtinë, Ministri Hyseni tha se kanë arritur që të identifikojnë thuajse të gjithë ata që janë vrarë apo që janë kthyer nga luftimet në Siri.

“Është fakt që Kosova për kokë banori ka prodhuar shumë pjesëtarë për luftërat e huaja, mirëpo, tani ne e kemi situatën nën kontroll. Kemi identifikuar gati secilin qytetar  që është vrarë në Siri apo që është kthyer nga atje. Do të bëjmë gjithçka që nevojitet që  ta mbrojmë vendin nga kjo e keqe”, tha ministri Hyseni.

Ministri Hyseni po ashtu ka theksuar se konfliktet në Ukrainë dhe Siri kanë ndikuar edhe në destabilizim e vendeve të Ballkanit Perëndimor, thuhet në një komunikatë për media të Ministrisë së Brendshme.

Germia Hill është konferencë që zhvillohet për herë të tretë në Kosovë, e cila organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në bashkëpunim me institutin Aspen.

“Kjo do të jetë konferenca më e madhe që është organizuar viteve të fundit në Ballkan, ku do të marrin pjesë afro 200 mysafirë nga 40 shtete të ndryshme të botës. Në mesin e të pranishmëve do të jenë personalitete eminente të politikës së jashtme botërore, por edhe gjashtë ministra të jashtëm dhe të mbrojtjes, shumë përfaqësues politikë, redaktorë dhe ekspertë të sigurisë,” kishte përshkruar MPJ këtë konferencë në ditën e parë të mbajtjes së saj.