Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike është mbajtur testi kualifikues për herë të tretë për kandidatët për prokurorë në kuadër të procesit të rekrutimit të 10 prokurorëve në prokuroritë themelore, me ç’rast morën pjesë 146 kandidatë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Testi Kualifikues është një prej pjesëve të testimit, i cili ka në përbërje edhe testin me shkrim dhe intervistat, të cilat Këshilli Prokurorial i Kosovës i organizon sipas standardeve më të larta, të cilat zbatohen me rastin e rekrutimit të prokurorëve në modele të ngjashme të rekrutimit”, thuhet në komunikatë.
Testin Kualifikues e ka mbikëqyrur kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, i cili ka thënë para kandidatëve se dita e sotme është një ditë e veçantë për Këshillin Prokurorial, por edhe për vetë karrierën e kandidatëve për prokurorë, të cilëve iu uroi suksese në fazat e këtij procesi testues, gjithashtu, në kuadër të monitorimit morën pjesë edhe përfaqësuesit e OSBE-së dhe BIRN-it.
Aplikimi i kandidatëve për prokurorë është realizuar përmes sistemit online të menaxhimit të dosjeve, me ç’rast iu është mundësuar të gjithëve që të aplikojnë, duke i bashkangjitur të gjitha dokumentet e kërkuara në formatet e nevojshme digjitale.