Nëse vizitat nëpër biznese janë faza e parë e revolucionit të premtuar nga zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, atëherë ai ka bërë një nisje të mbarë. Ka vizituar afro 15 kompani brenda një muaji, por të gjitha komunat përpos Prizrenit, udhëhiqen nga LDK-ja partia ku ai aderoi para se të emërohet numri dy në Qeveri.
Kur ishte emëruar si zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, pasi ateroi në Lidhjen Demokratike të Kosovës, me 27 tetor, Ramiz Kelmendi kishte premtuar revolucion në bujqësi, brenda katër muajve.
“Bujqësinë do ta zhvillojë brenda katër muajve. Nuk do të ketë nevojë që të importohet asnjë produkt në Republikën e Kosovës e që mund të kultivohet në Kosovë. Flas nëse mund të prodhohet”, kishte thënë Kelmendi, me tu emëruar në postin e numrit dy në Qeveri.
E këtë revolucion, Kelmendi ka nisur ta realizojë duke bërë një seri vizitash në 12 kompani të ndryshme vendore.
Pasi me 3 nëntor kishte zhvilluar takimin e parë si zëvendëskryeministër, duke vizituar komunën e Podujevës, një komunë e udhëhequr nga Agim Veliu, anëtar i LDK-së, me 11 nëntor kishte takuar kryetarin e shoqatës së Fermerëve të Kosovës, Besim Kuqi dhe kryetarin e Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës, Ramadan Memaj.
Dy ditë më vonë, Kelmendi, kishte vizituar një qumështore në Fushë Kosovë, dhe një fermë po në këtë qytet, raporton Insajderi.
Fushë Kosova udhëhiqet nga kryetari Burim Berisha, nga LDK-ja, raporton Insajderi.
Nga Fushë Kosova, të njëjtën ditë kishte shkuar në Podujevë ku kishte vizituar një kompani të industrisë së tekstilit ndërsa ditën e kishte përfunduar me një vizitë në pikën kufitare në Merdare.
Por pas kësaj dite të mbushur me takime në shumë qytete të ndryshme, kishte pushuar dy ditë.
Me 18 nëntor, Kelmendi ishte nisur drejt Suharekës, ku kishte vizituar një fabrikë të gomave, dhe Zonën Industriale të kësaj komune. Edhe kjo komunë menaxhohet nga LDK-ja me kryetar Sali Asllanaj.
Në këtë Zonë Industriale kishte vizituar një kompani të mjeteve mjekësore, një kompani të mobilieve, një të fasadave dhe një kompani të pijeve energjike.
E vetmja komunë, kryetar i së cilës nuk është nga LDK-ja është Prizreni, që drejtohet nga Ramadan Muja, nga PDK-ja, partneri i koalicionit qeveritar. Me 23 nëntor kishte vizituar Lipjanin, por nuk ishte takuar me autoritetet komunale. Kishte vizituar një kompani.
Këtë komunë e ka vizituar të enjten e 24 nëntorit. Është pritur nga autoritetet komunale, përkatësisht kryetari Ramadan Muja.
Në Prizren, Kelmendi ka vizituar tri fabrika të prodhimeve bujqësore, një të ndërtimtarisë dhe Shoqatën e Zejtarëve të Prizrenit.
Sipas njoftimit zyrtar në faqen e Zyrës së kryeministrit, thuhet se Zëvendëskryeministri Kelmendi ka takuar pronarët dhe drejtuesit e këtyre kompanive, për të parë mënyrën sesi do të mundet Qeveria që të ndihmoj këto biznese, gjatë punës në nxjerrjen e pakos e dytë fiskale./Insajderi.com