154 vrasje janë kryer në pesë vitet e fundit në Kosovë

154 vrasje janë kryer në pesë vitet e fundit në Kosovë

Nga viti 2016 e deri në gusht të vitit 2021, në Kosovë kanë ndodhur 154 vrasje, prej të cilave 79 janë cilësuar si vrasje të rënda.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Telegrafin, se nga janari deri në gusht të këtij viti në Kosovë kanë ndodhur 19 vrasje – prej të cilave 12 janë cilësuar si vrasje të rënda.

Sipas Policisë së Kosovës më së shumti raste të vrasjeve brenda këtyre pesë viteve, në bazë të Nenit 178 të Kodit Penal të RKS-së, kanë ndodhur gjatë vitit 2018, ku janë regjistruar 22 raste të cilësuara si vrasje, ndërkaq po në këtë vit kanë ndodhur 12 vrasje të rënda.

Vrasja e fundit që ka ndodhur në vendin tonë është ajo e së hënës mbrëma në qytetin e Gjilanit, ku nga arma e zjarrit mbeti i vdekur E.R, në afërsi të shtëpisë së tij në lagjen “Arbëria” të këtij qyteti.

Deri më tani për këtë vrasje janë arrestuar pesë të dyshuar, për të cilët prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh./Insajderi.com