16 gjedhe asgjësohen në Rahovec, flet AUV

16 gjedhe asgjësohen në Rahovec, flet AUV

Rreth 16 lopë janë asgjësuar në disa fshatra të Komunës së Rahovecit, pasi kanë rezultuar pozitivë në sëmundjen e TBC (sëmundje që mund të bartet te njeriu), derisa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së bashku me kompaninë e kontraktuar për asgjësim dhe groposje të kafshëve, janë duke kryer asgjësimin e tyre.

Në fshatin Guri i Kuq të kësaj komune është hapur një gropë në të cilën po hedhen lopët e asgjësuara, ndërsa qytetarët janë shprehur se po ndihen të rrezikuar nëse asgjësimi do të lërë pasoja për ta.

Siç bën të ditur për Gazetën Online Shqip.com, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, për përcaktimin e lokacionit apo vendit për asgjësim është përgjegjës komuna.

“Secila komunë e njehë hapësirën e vet territoriale, duke përfshirë edhe përbërjen e tokës, hapësirat për distanca nga vendbanimet, që po ashtu si përgjegjëse për caktim të lokacionit e përcaktojnë edhe ligjet në fuqi. Përveç kësaj ka disa vite që ne përmes shkresave zyrtare i kemi informuar komunat për përgjegjësit e tyre për caktim të lokacioneve për asgjësime të kafshëve ne rastet kur rezultojnë pozitiv në sëmundjet ngjitëse”, ka thënë Thaçi për redaksinë.

Më tej ai njofton se sot gjatë procesit të asgjësimit të disa krerëve në një lokacion, të caktuar nga zyrtarë komunalë dhe ata të Agjencisë së Pyjeve, disa fshatar rreth këtij vendi kanë kundërshtuar vendosjen e kafshëve aty.

“Pas diskutimeve edhe me krerët lokalë, ne jemi detyruar që t’i zhvarrosim kafshët dhe t’i dërgojmë në një vend tjetër, prap me pëlqim dhe vendosje të organeve lokale. Asgjësimet gjithmonë kryhen nën mbikëqyrje të inspektorit veterinar, i cili gjatë gjithë procesit mbikëqyrë asgjësimin për t’u përmbushur të gjitha kushtet veterinare shëndetësore për parandalimin e përhapjen se sëmundjeve të kafshëve”, sqaroi më tej ai.

Në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. /Insajderi.com