Kosova vazhdon të përballet me një problem serioz, siguria e punëtorëve në vendin e punës. Vetëm gjatë vitit 2020 në vendet e tyre të punës kanë vdekur 16 punëtorë. Sektori i ndërtimtarisë mbetet më i rrezikshmi. Përderisa inspektimi i të gjitha vend-punishteve është i pamundur për shkak të numrit të kufizuar të inspektorëve të punës.
Kryeinspektori për Siguri në Punë, Agim Millaku, ka thënë se gjendja në sektorin privat nuk është e kënaqshme dhe se inspektorati i punës po has në vështirësi për të ndryshuar këtë gjendje.
Përmirësimin e kësaj gjendje, sipas Millakut, po e pamundëson numri i vogël i inspektorëve në terren.
Sipas tij, numri më i madh i të punësuarve vazhdon të jetë në sektorin e ndërtimtarisë, por njëkohësisht mbetet edhe sektori me numrin më të madh të aksidenteve.
“Në vitin 2020 kanë humbur jetën në vend të punës 16 punëtorë, por nuk kanë qenë të gjithë për shkaqe të kushteve të punës edhe te ushtrimit të veprimtarisë së punës, dy kanë qenë për shkak të vdekjes së natyrshme kanë pësuar infarkt, tre prej tyre kanë qenë në shtëpi private që shpesh është e pamundur edhe me i kontrolluar sepse kanë lidhje familjare dhe me lidhje familjare punojnë, dhe 11 kanë qenë humbje jete për shkak të ushtrimit të veprimtarisë në subjektet e caktuara punuese”, thotë ai.
Kosova mbetet ende vendi i vetëm në rajon pa sigurime shëndetësore, gjë që e bën edhe më të vështirë jetën e punëtorëve të cilët për lëndimet në vendet e punës detyrohen të shpenzojnë shuma të mëdha parash./Insajderi.com