Dialogu me Kosovën, kusht i Serbisë për anëtarësim në BE

Dialogu me Kosovën, kusht i Serbisë për anëtarësim në BE

Parlamenti Evropian sot ka miratuar rezolutat për Kosovën dhe Serbinë, ku është mirëpritur fillimi i negociatave të anëtarësimit me Serbinë dhe përparimit që është bërë në normalizimin e marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Dialogu me Prishtinën dhe zbatimi i marrëveshjeve është përmendur si kush i Serbisë për anëtarësim në BE.

“Deputetët e Parlamentit mirëpresin përparimin e arritur në vitin 2015 në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe ftojnë Prishtinën dhe Beogradin që të vazhdojnë drejt implementimit të marrëveshjeve të arritura,” thuhet në komunikatën për media të Parlamentit Evropian.

Në rezolutën për Kosovën, thuhet se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, porse Kosova duhet të “bëjë më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe të fillojë të dërgojë rezultate të prekshme, po ashtu edhe në ekonomi,” ka thënë raportuesja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek.

“Kosova po ashtu është i vetmi vend në Ballkanin Perëndim, qytetarët e së cilit nuk janë të lejuar të udhëtojnë lirshëm në BE,” ka thënë ajo, duke ftuar që kjo situatë të ndryshohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ndërsa për Serbinë, raportuesi David McAllister ka thënë se Serbia është në rrugë drejt BE-së.

“Hapja e kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim, pas vazhdimi të dialogut për normalizim me Kosovën, ka qenë një sukses i merituar për vendin,” ka thënë ai.

Rezoluta për Serbinë po ashtu thërret qe Serbia të angazhohet për reforma dhe të sigurojë punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve.  Po ashtu, u kërkua që të bëhet më shumë përpjeke në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./Insajderi.com