Dy mjekë nga Durrësi janë proceduar penalisht për veprën penale “Mjekim i Pakujdesshëm” lidhur me rastin e vdekjes së tre anëtarëve të familjes Haliti nga Gjilani në banesën e tyre te Gjiri i Lalëzit, transmeton Insajderi.
Kështu thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë derisa është raportuar për rastin.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manëz, kanë proceduar penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, shtetasit Sh. B., 54 vjeç dhe J. K., 60 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek në qendrën shëndetësore Manëz, pasi si pasojë e përkeqësimit të shëndetit kanë ndërruar jetë shtetasit kosovarë E. H., 78 vjeçe, A. H., 56 vjeç dhe F. H., 57 vjeçe ( familjarë), të cilët nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas kanë mbledhur kërpudha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit janë helmuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme. /Insajderi.com