20 vjetori i çlirimi- Si u degraduan tre ish-komandantët e përgjithshëm të UÇK-së

20 vjetori i çlirimi- Si u degraduan tre ish-komandantët e përgjithshëm të UÇK-së

Tash e 20 vite më parë, Kosova u çlirua nga forcat paramilitare serbe. Por, komandantët e UÇK-së, pas përfundimit të luftës morën një rrugë tjetër.

Tre ish-komandantët e përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, Azem Syla dhe Sylejman Selimi, degraduan titujt e tyre me skandale e afera të ndryshme.

Nga shef i shtabit të UÇK-së gjatë muajve të fundit të luftës së Kosovës u bë i pari i TMK-së (Trupave Mbrojtëse të Kosovës). Pas kësaj karriere, Agim Çeku u bë i pari i Qeverisë së Kosovës, më 2 mars të vitit 2006, pas dorëheqjes së Bajram Kosumit. Këtë post e mbajti deri në janar të 2008-ës. Nga pozita e kryeministrit, Çeku u bë ministër i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës në vitin 2011. Ndërsa në vitin 2017-të, ai mori postin e zëvendësministrit të po kësaj ministrie. Emri i Agim Çekut, është i njohur për opinionin si lëvizës nëpër pozita të larta shtetërore.

Nga Çeku te Azem Syla. Edhe Syla ishte komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është i njohur edhe si ‘daja’. Mirëpo ‘daja’ është i implikuar në disa afera kriminale. Ai pas përfundimit të luftës iu bashkua Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa ishte edhe deputet i saj. ‘Daja’ ka dy raste të mëdha në të cilat është implikuar që janë rasti “Toka” dhe ai “Zvicra”. Në rastin “Toka” Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës. Ndërsa rasti “Zvicra” kishte nisur në mars të vitit 2012 ku prokuroria kishte hapur hetimet kundër Sylës, duke u mbështetur në një kallëzim penal të bërë nga fondi (arka) i kompensimeve e Solothurnit. Kallëzimi kishte të bëjë me “shfrytëzimin e bërë padrejtësisht të të ardhurave suplementare në vlerë të 426 mijë frangave. Gjykata Administrative e Soloturnit në shkurt të vitit 2012 në vendimin e saj kishte konstatuar se Azem Syla “kishte shfrytëzuar apo madje edhe abuzuar në mënyrë të konsiderueshme për vite me radhë sistemin e këtushëm social”.

Sylejman Selimi po ashtu ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së. Selimi ishte arrestuar për krime lufte ndërsa së fundmi është liruar. Ndërsa pas lirimit Selimi, u emërua këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj. Mirëpo nga kjo pozitë është shkarkuar shumë shpejt, pas reagimit të ambasadorëve dhe qytetarëve. E pak ditë më parë, kompania që udhëhiqet nga familja Selimi, mori një tenderë të majmë në Ministrinë e Infrastrukturës. Më  3 qershor Ministria e Infrastrukturës shpalli fituese firmën “Mirusha Company” që është në pronësi të familjes se Selimit dhe u shpallë fituese e një tenderi milionësh./ Insajderi.com