Që nga fillimi i pandemisë deri më tani janë shqiptuar mbi 200 mijë gjoba për mosrespektimin e masave anti-COVID’19.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili tha se me shqiptimin e gjobave nuk kanë qëllim ndëshkimin, por sensibilizimin e qytetarëve.
I ftuar në “Sytë Shtatë” të Klan Kosovës, Kelani tha se nga 30 gushti, pa përfshirë statistikat e 24 orëve të fundit, janë shqiptuar mbi 22 mijë gjoba për mosrespektimin e masave kundër COVID-19.
“Policia s’ka qëllim ndëshkimin e qytetarëve por sensibilizimin e tyre për të parandaluar pandeminë”, ka thënë Kelani.
“Qytetari që ndëshkohet s’ndihet mirë, por në analiza të thella polica s’ka përfitim personal se mjetet s’shkojnë në xhepin tonë”, shtoi Kelani.
Në bazë të shumë sondazheve ndër vite, Kelani thotë se policia ka arritur të ketë një besueshmëri të lartë dhe transparencë të lartë.
“Mund të them se policia e Kosovës është një ndër institucionet më e besuar dhe më transparente në ballkanin perëndimor”, është shprehur Kelani.
Andaj, Kelani ka thënë se presin që në vijim të jenë edhe anëtar të Interpolit, pasi kjo, sipas tij, mbetet ende një sfidë.
“Kapacitetet tona të burimeve njerëzore, logjistike dhe të punës profesionale tanimë veç i kemi. Mund të them lirisht se janë faktorë të tjerë ta quaj politikë që ndikojnë në mos anëtarësimin e policisë në Interpol”. /Insajderi.com