fbpx

Ilir Dedës i mbeten edhe dy vite në politikë (VIDEO)

Ilir Dedës i mbeten edhe dy vite në politikë (VIDEO)

Politikani Ilir Deda, kishte hyrë në politikë fillimisht në vitin 2010 kur bashkë-themeloi Partinë Fryma e Re. Në një nga tubimet politike, Deda thoshte se i ka caktuar vetës afatin prej 8 viteve për të qëndruar në politikë dhe më pas do të largohej për t’iu përkushtuar jetës së tij.

“Ka ardhur koha me i marrë përgjegjësitë. Nuk është lehtë por nuk kemi mu dorëzu. Unë për veti 8 vjet ia kam caktuar vetës, edhe masandej  me u fokusu në jetën time”, thoshte Deda, në vitin 2010.

Madje në atë kohë besonte fuqishëm se ndryshimi do të vinte me Frymën e Re. Teksa po fliste para studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë, Deda thoshte se ka ardhur koha që të ndryshohet vendi, dhe kjo arrihej me një parti të re.

“Na kemi vendos me u kyç në politikë dhe me bashkëthemelu Frymën e Re, për shkak se nuk e kemi ndi vetën komfort me ndejtë anash dhe me këqyr çka tjerët po bojnë me vendin tonë e na me pi makiato dhe shkru raporte”, kishte thënë Deda.

Fryma e Re nuk arriti të futej në Kuvend, dhe katër vite pas kësaj deklarate, partia e themeluar nga ai do të shuhej.

Deda do të bashkohej me Lëvizjes Vetëvendosje, përmes së cilës arriti të bëhej deputet. Njëjtë sikurse FER-in, Deda e shihte edhe VV-në kur hyri në këtë parti.

“A mundemi me u ndi krenar që jemi qytetarë të Kosovës dhe që e kemi shtetin e mirë? Dy po-ja! Po me Lëvizjen Vetëvendosje dhe po me Albin Kurtin, kryeministrin e ardhshëm të Kosovës”, kishte thënë Deda me 8 maj 2014.

Por ndryshimi sipas tij nuk mund të ndodhë as me këtë parti. Dy vite pasi hyri në këtë parti, Deda e braktisi. Me 25 prill 2016, Deda tha se ka dallime konceptuale me VV-në.

Tash kur kanë mbetur edhe dy vite qysh prej atij premtimi të vitit 2010, Ilir Deda thotë se do të themelojë një parti të re. E treta e tij brenda 6 viteve.

“Gjatë muajve të ardhshëm do të angazhohem në krijimin e një subjekti të ri politik. Fronti opozitar do të zgjerohet, e një pjesë e brezit të ri politik do ta gjejë veten në përpjekjen e vazhdueshme politike për Kosovën normale – me punësim e jo varfëri, drejtësi e pa korrupsion, e për Kosovën shtet funksional me dinjitet dhe të barabartë me botën”, ka shkruar Deda në Facebook.

Por a është  e mundshme realizimi i Kosovës shtet funksional brenda dy viteve apo Ilir Deda do ta zgjasë qëndrimin e tij në politikë?