2020, viti i zhvillimeve të jashtëzakonshme

Kosova, si një demokraci ende jo stabile, në vazhdimësi prodhon situata jo të zakonshme politike, por vështirë të mund të konkurrohet me jashtëzakonshmërinë e zhvillimeve në vitin që posa lamë pas. Në 2020 ndodhën aq shumë gjëra në politikën kosovare, saqë s’kishte si të përfundonte viti ndryshe, pos me nevojën për zgjedhje të reja. Situatën e rëndoi edhe më shumë pandemia COVID-19. Kjo është një përmbledhje e zhvillimeve politike të vitit 2020, bashkë me efektet ekonomike të shkaktuara nga pandemia.

2020, viti i zhvillimeve të jashtëzakonshme

Viti që shkoi, 2020, është karakterizuar nga zhvillime dhe ngjarje të shumta nga të gjitha fushat. Ky vit ishte i ndryshëm nga vitet tjera edhe për shkak të pandemisë Covid-19, gjë e cila shkaktoi shumë ndryshime në nivel global. Në Kosovë ndryshimeve që solli pandemia, iu shtuan edhe zhvillimet politike të cilat ishin të jashtëzakonshme po aq sa ishte e jashtëzakonshme edhe situata me Covid-19.

Kosova e filloi vitin 2020, me një qeveri në detyrë të cilën e udhëhiqte Ramush Hardinaj. Zgjedhjet e tetorit 2019, nuk po konkretizoheshin me krijimin e një qeverie që ta merrte mandatin e rregullt dhe te fillonte detyrën e saj në vitin 2020, si rrjedhojë Qeverisë Haradinaj e rrëzuar vetë i zgjastej detyra.

Pas pesë muajsh negociata mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, më në fund, në shkurt të vitit 2020 u krijua qeveria e re, e udhëhequr nga Albin Kurti. Ndryshimi i madh i proklamuar kishte shkaktuar entuziazëm të madh, pritshmëritë ishin të mëdha nga qytetarët e Kosovës. Po aq entuziastë ishin edhe qeveritarët e rinj.

Sfida e parë e Qeverisë Kurti ishte zëvendësimi i Taksës 100% e vendosur nga Qeveria Haradinaj me masën e Reciprocitetit të propozuar nga Qeveria Kurti. Kundërshtime kishte nga dy drejtime, nga njëra anë opozita kundërshtonte fuqishëm heqjen e Taksës, dhe nga ana tjetër partneri i koalicionit qeverisës LDK-ja bënë presion që Taksa të mos zëvendësohej me Reciprocitet. Mospajtimet mes partnerëve qysh në agun e qeverisë, paralajmëronin ditë të vështira në politikë.

Situata e komplikuar politike u bë edhe më e komplikuar me fillimin e pandemisë, ku rastet e para të infeksionit me Covid-19 u shfaqën në Kosovë. Menaxhimi i situatës me Covid-19 qeverinë e re e vuri para një sprove edhe të re edhe të pa njohur.

Mospajtimet të reja dolën në shesh mes partnerëve të koalicionit. Situata me Covid-19, kërkonte zgjidhje. Presidenti Hashim Thaçi kërkonte shpallje të Gjendjes së Jashtëzakonshme, kryeministri Kurti kundërshtonte.

Pjesë e këtij mospajtimi u bë edhe Ministri i Brendshëm, Agim Veliu, i cili nuk kishte dilema, i doli kundër kryeministrit të vet për ta përkrahur dekretin e presidentit për Gjendje të Jashtëzakonshme.

Pas këtij akti të ministrit Veliu, akoma më pak kishte dilema edhe kryeministri, e shkarkoi ministrin e vet, Agim Veliun.

Gjendja e Jashtëzakonshme që nuk u shpallë në menaxhim të pandemisë, u bë e tillë në politikë. Martesa politike e arritur me vështirësi të madhe mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, u divorcua lehtë.

Shkarkimi i ministrit Veliu, ishte i mjaftueshëm për LDK-në që të dal nga koalicioni me Vetëvendosjen. U votua një mocion mosbesimi, dhe kaloi me sukses. Me 83 vota pro, u rrëzua Qeveria Kurti. Pesë muaj negociata për 50 ditë qeverisje pa vendime ishte bilanci i koalicionit qeverisës VV-LDK.

Kosova në fund të muajit mars, u fut edhe në një krizë tjetër; Kriza Politike.

Situata e vështirë ku gjendej Kosova e kërkonte medoemos një zgjidhje të re. Vetëvendosja kërkonte zgjedhjet si zgjidhje, ndërsa partitë tjera mendonin së duhej krijuar një shumicë e re parlamentare që të do formonte qeverinë e radhës. Dhe, si jo rrallë herë mospajtimeve dhe dilemave të legjitimitetit dhe legalitetit në politikën kosovare iu jepte fund Gjykata Kushtetuese.

Verdikti i kësaj Gjykate i datës 29 maj 2020 ishte ky: Kuvendi i Kosovës duhej të krijonte një qeveri të re. Pas këtij aktvendimi, Vetëvendosje vazhdonte me refuzim përmes protestave dhe peticioneve, e partitë tjera konsolidonin koalicionin e ri qeverisës.

Në muajin qershor, u krijua qeveria e re në krye me Avdullah Hotin. Partneret e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA Socialdemokrate, u zotuan se do të merreshin me çështje të cilat sipas tyre Qeveria Kurti i la pas dore. Këtu, vazhdimi i dialogut Kosovë –Serbi ishte prioriteti i qeverisë së re.

Takimi i parë me palën serbe pas një ndërprerje gati dy vjeçare, u paralajmërua të bëhej në Uashington me datën 27 qershor. Delegacionit kosovarë pritej t’i printe kryeministri Hoti dhe presidenti Thaçi. U nisën nga Prishtina për në Uashington më 24 qershor, por nga rrugëtimi, i cili pritej me shumë entuziazëm, u ndërpre në gjysmë dhe entuziazmi u shndërrua në trishtim.

Dhomat e Specializuara pikërisht atë ditë, e ndërprenë në gjysmë atë udhëtim. Presidenti Thaçi duhej të paraqitej në Gjykatën Speciale për t’u përgjigjur për krime të supozuara që janë kryer prej tij në luftën e fundit në Kosovë.

Bashkë me të, ftesë kishte marrë edhe kreu i PDK-së Kadri Veseli. Kështu, kjo ngjarje, për kryeministrin Hoti e ndryshoi datën e takimit me palën serbe, për Thaçin destinacionin. Hoti u kthye në Prishtinë për të pritur ftesën e radhës nga presidenti Trump, Thaçi me Veselin vazhduan për në Hagë për tu njoftuar me aktakuzën.

Thaçi dhe Veseli u kthyen nga Haga pas seancave dëgjimore maratonike. E vetmja gjë e qartë pas atyre seancave ishte paqartësia se si do rridhnin ngjarjet në vijim. A do të konfirmohej apo jo aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit, pritjet të merrej vesh në vjeshtë.

Vjeshta pritej të ishte dinamike. Takimi në Uashington mes palës shqiptare dhe asaj serbe u realizua në 4 shtator. Para takimit u trumbetua për një marrëveshje politike përfundimtare me Serbinë, por rezultati ishte: As marrëveshje, e aq më pak politike. Hoti u kthye në Prishtinë duke e quajtur marrëveshjen të suksesshme, opinioni politik dhe ai publik e akuzonin për marrëveshje që rrezikon edhe sovranitetin e vendit.

Opozita kritikonte, Qeveria mburrej.

Pas takimit të Uashingtonit, shtatori u karakterizua edhe me një ngjarje tjetër të rëndësishme për imazhin e Kosovës. Më 25 shtator, policia e EULEX-it i arrestoi dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kryetarin e kësaj organizate, Hysni Gucatin, dhe nënkryetarin e saj, Nasim Haradinaj. Akuzoheshin për pengim të procesit të hetimeve të Gjykatës Speciale.

Pas këtyre arrestimeve, priteshin edhe arrestime tjera. Dhe ashtu, siç pritej dhe ndodhi, aktakuza ndaj presidentit Thaçi dhe kreut të PDK-së Veseli nga ana e Gjykatës Speciale u konfirmua. Më 25 nëntor, Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit, Veseli nga kryetari i PDK-së.

Përveç tyre, një ditë më parë ishte dërguar në Hagë edhe ish sekretari i UÇK-së, Jakup Krasniqi. Ndërsa në mbrëmjen e 25 nëntorit ftesë për në Gjykatë Speciale mori edhe Rexhep Selimi. Fundi i nëntorit Kosovën e gjeti pa ata që e çliruan. Të gjithë ishin në Hagë, dhe po të gjithë akuzoheshin njëjtë, për krime lufte ndaj popullsisë civile gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.

Fundi i vitit 2020, pas shumë situatave sa të vështira aq dhe të jashtëzakonshme, Kosovës po ia shtonte dhe një problem tjetër, partnerët e koalicionit qeverisës po i rritnin pakënaqësitë dhe mospajtimet mes vete.

Qeverisë po i parashikohej fundi, por asnjëri nga eksponentët e saj nuk guxonin të bënin hapa para. Në vend hedhjes së hapave të guximshëm, ata po kalkulonin.

Por, të gjitha hezitimet, kalkulimet e shpresat e partnerëve të koalicionit qeverisës, i hodhi poshtë me një dekret nga Gjykata Kushtetuese. Vota e deputetit të pakicave, Etem Arifi, ishte shpallur e pa vlefshme, si rrjedhojë Qeveria Hoti jo legale. Bashkë me vlerësimin e votës së deputetit Arifi, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi edhe Qeverinë Hoti.

Kosova gjatë vitit 2020, ishe qeverisur nga tri qeveri, dy prej tyre më shumë qeveri në detyrë sesa të mandatuara, e treta ilegale.

Viti i jashtëzakonshëm 2020, po e çonte vendin në zgjedhje të reja, natyrisht si çdo herë të jashtëzakonshme.

Zhvillimet ekonomike

Në muajin mars kur pronarët u obliguan t’i mbyllnin dyert e bizneseve të tyre nuk ishin të sigurt nëse do t’i hapnin përsëri.

Kjo dilemë e përcolli vitin 2020 – krahas rrezikut nga COVID-19 pasojat e së cilit barteshin në tryezat e shumë familjeve në Kosovë.

Qeveria Kurti vendosi për masë ekstreme izolimi, krahas edhe një pako emergjente.

Gjithçka ishte mbyllur, bashkë me të kishin pauzuar edhe bizneset përpos grafiket makroekonomikë – ato nuk ndaleshin dot, veçqë shkonin poshtë e më poshtë.

Sipas ministres së Financave, Hykmete Bajrami, është vlerësuar që ekonomia ka pësuar rënie për 6.7% në vitin 2020.

Kjo rënie pasojë e pandemisë që ka pasur impaktin në të gjitha sferat e jetës, por sipërmarrjet besojnë se COVID-19 ishte më i ashpër me ta.

Teksa asgjë nuk po punonte, qiratë e kreditë duhet paguheshin e punëtoret kërkonin pagat e tyre për të mbijetuar.

Në bazë të kësaj situate, Qeveria atëherë e drejtuar nga Albin Kurti, vendosi për një Pako Emergjente.

Pako Emergjente përfshinte ndihmë për punëtoret, qytetarët që humbën vendet e punës, qendrat tregtare, familjet me asistencë sociale e familjet pa asnjë anëtarë të punësuar.

Aktualiteti i kësaj pako vazhdoi edhe në muajin e fundit të vitit 2020, pasi masa e 15 nuk ishte ekzekutuar në tërësi.

Kjo pako përmbante plotë 15 masa emergjente.

Masa 1– Pagesa e dyfishtë e vlerës së skemës sociale (3 muaj);

Masa 2- Pagesa shtesë prej 30 euro në muaj për të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale nën 100 euro (3 muaj);

Masa 3- Mbështetja financiare për shoqëritë tregtare që janë në vështirësi financiare si rezultat i situatës emergjente, dhe atë:

(a) Mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej 170 euro ( 2 muaj)

(b) Subvencioni i qirasë deri në pesëdhjetë për qind (50%) të vlerës së qirasë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme;

(c) Mbulim i vlerës së kontributeve pensionale për pagat lidhur me masat e parapara me këtë vendim.

Masa 4- Sigurimi i huadhënies pa interes për ndërmarrjet publike (kthimi bëhet deri në fund të vitit 2020);

Masa 5- Sigurimi i mbështetjes financiare për Komuna e Republikës së Kosovës (total prej 10 milionë euro);

Masa 6- Sigurimi i shtesës mbi pagën në vlerë 300 euro për punonjësit e sektorëve esencial të cilët janë ekspozuar drejtpërdrejtë rrezikut të infektimit (2 muaj);

Masa 7- Pagesë shtesë prej 100 euro për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe barnatoreve (2 muaj);

Masa 8- Pagesa e asistencës mujore prej 130 euro për qytetarët që humbin vendin e tyre të punës për shkak të situatës emergjente (regjistrimi bëhet përmes ATK-së dhe kjo masë është për 2 muaj);

Masa 9- Mbështetja e iniciativave dhe projekteve që synojnë përmirësimin e jetës së komuniteteve jo shumicë në Republikë e Kosovës, e të cilët janë goditur rëndë nga situata e emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në dy milionë (2,000,000.00 €) euro;

Masa 10- Sigurimi i likuiditetit financiar për dy kategori:

(a) Mikro-ndërmarrjet dhe të vetë–punësuarit nëpërmjet programeve të caktuara të Fondit Kosovar për Garanci të Kredive, në shumën deri në dhjetë mijë (10, 000 €) euro për periudhën 2 vjeçare, në vlerë deri në pesëmbëdhjetë milionë (15,000,000.00 €) euro.

(b) Shoqëritë Tregtare/Kompanitë e autorizuara të cilat ofrojnë shërbime bazike (të ngjashme me ato të ndërmarrjeve publike) me kthim deri më 31.12.2020, në kuadër të vlerës së përcaktuar të pikës 1.4 të vendimin për Pakon Fiskale Emergjente.

Masa 11 – Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për rritje të prodhimit bujqësor, në vlerë prej pesë milionë euro (5, 000,000.00 €) euro;

Masa 12 – Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për evitimin e situatës së krijuar nga gjendja e emergjencës së shëndetit publik në aktivitetet sportive dhe kulturore, në vlerë prej pesë milionë (5,000,000.00€) euro;

Masa 13 – Mbështetje për eksportuesit në Republikën e Kosovës pas përfundimit të situatës së emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në dhjetë milionë (10, 000,000.00€) euro;

Masa 14 – Mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që regjistrojnë punëtorët me kontratë pune së paku një (1) vjeçare gjatë periudhës së situatës së emergjencës së shëndetit publik, nga njëqind e tridhjetë (130€) euro për dy muajt pasues pas regjistrimit, në vlerë deri në gjashtë milionë (6,000,000.00€), euro;

Masa 15 – Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130€) euro për qytetarët me kushte të rënda sociale, të lajmëruar si të papunë në institucionin kompetent, e që nuk janë përfitues të asnjë të hyre mujore nga Buxheti i Kosovës, dhe kjo për muajin Prill, Maj dhe Qershor, në vlerë deri në tre milionë (3,000,000.00€) euro.

Paratë po ekzekutoheshin me shumë vonesa e me rreshta të gjatë pritje njerëzish për t’i marrë ato.

Bashkë me ta po priste edhe COVID-19 e Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik që apelonte për distancë sociale e maska ose bllokimi nëpër shtëpi vazhdon.

Rreziku për ta shmangur urinë mposhte kërcënimin për t’u infektuar me COVID-19.

Paratë nuk po mjaftonin, bizneset apelonin për ndihmë dhe ministri i atëhershëm i shëndetësisë, Arben Vitia, vendosi për masa lehtësuese.

Masat lehtësuese përfshinin tri faza. Faza e parë; nga 4 maj deri më 20 maj. Faza e dytë; nga 20 maj deri më 3 qershor. Faza e tretë; nga tre qershori e në vazhdim.

Bizneset filluan të operonin me kritere që përfshinin respektimin e distancës sociale, mbajtjen e maskës dhe përdorimet e dezinfektueseve. Në raste të shumta edhe kufizime në orar, sidomos për sektorin e gastronomisë – sektor që ka bindjen se COVID-19 kishte rezervuar më shumë fishek për ta.

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, insistonin që të miratohet një pako për Rimëkëmbje Ekonomike.

Si mekanizëm shtetëror ishte filluar gjatë muajve të hershëm pandemik, por tashmë projektuesit e saj nuk ishin të njëjtit – Qeveria kishte ndryshuar; nuk ishte më e drejtuar nga Albin Kurti, por nga Avdullah Hoti.

Ndër politikat kryesore të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike ishte tërheqja e 10% të trustit pensional nga qytetarët dhe 200 milionë euro ndihmë për bizneset aktive.

Dy partitë opozitare; Lëvizja Vetëvendosje e Partia Demokratike e Kosovës, kishin refuzuar ta votonin Rimëkëmbjen Ekonomike.

Qëndrimin e arsyetonin në atë se projekt-ligji nuk ishte mjaftueshëm i përshtatshëm për të pasur përnjëmend Rimëkëmbje Ekonomike.

Pas, gjithë debateve mbi këtë projektligj të jashtëzakonshëm e në një kohe të jashtëzakonshme, Ekzekutivi i drejtuar nga Avdullah Hoti arriti një marrëveshje me Partinë Demokratike të Kosovës që tashmë ka ushtrues detyre të kryetarit, Enver Hoxhajn.

Kështu më 4 dhjetor pas shumë përpjekjeve të dështuara në tempullin e demokracisë e shumë kërkuara arriti të kalonte; Rimëkëmbja Ekonomike.

Tani ishte koha që në xhirollogaritë e qytetarëve të dalin një pjesë e parave që ishin destinuar për pleqëri; Trusti Pensional.

356.672 qytetarë aplikuan, por mbi 8 mijë qytetarë s’kishin çfarë të merrnin më shumë sesa 10 euro.

Përpos trustit si politik shtetërore për zbutjen e krizës financiare në ekonomitë familjare, odat ekonomike këmbëngulnin që të mbështeten sa më shpejt edhe bizneset, ndryshe sipas tyre nuk është larg dita kur shumë sipërmarrje do t’ia vendosin drynin derës së biznesit.

Për tre muajt e parë të izolimit ekstrem 146 ndërmarrje tashmë ishin pajtuar me fatin e hidhur; t’i mbyllnin bizneset.

Por, pa u kaluar propozim projekt-buxheti për vitin 2021, nuk kishte as edhe një monedh për sipërmarrjet të cilat i mbijetuan valës kërcënuese së COVID-19.

Si për Rimëkëmbjen Ekonomike edhe për projekt-buxhet kishte mos-pajtime.

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, kishte thënë se “s’kishte parë propozim projekt-buxhet më të dobët ndonjëherë”, por shkak i rrethanave që lidhen me zhvillimet politike në vend, ai dhe bashkë-partiakët në Kuvend e votuan. Buxheti kaloi më 29 dhjetor.

Buxheti për vitin 2021 vlen 1.9 miliardë euro, ministrja në Detyrë, Hykmete Bajrami pret një rritje ekonomike 5.2% rrjedhojë e këtij buxheti për vitin e ardhshëm.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje vendosi ta votonte projekt-buxhetin në lexim të dytë.

Viti 2021 fillon me një ankth që e la viti 2020, por me një shpresë të domosdoshme për të mos lejuar ankthin e 2020’tës ta kalojë kufirin e vitit që do të na shoqërojë 365 ditë./Insajderi.com