208 ankesa kundër rezultatit të zgjedhjeve pranon PZAP

208 ankesa kundër rezultatit të zgjedhjeve pranon PZAP

208 ankesa kundër rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, janë dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, njofton Insajderi.

Partitë dhe kandidatët për deputetë kishin afat prej 24 orësh për t’iu drejtuar PZAP-së, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 4 mars.

“PZAP-i lidhur me këto apele do të vendosë brenda afatit ligjor prej 72 orëve”, thuhet në njoftimin e këtij paneli.

Ankesë në PZAP kanë dërguar edhe partitë e komuniteteve joserbe, të cilat kanë kërkuar anulimin e votave që partitë boshnjake dhe rome kanë marrë nga votuesit serbë.

Këto parti thonë se Lista Serbe, ka ndihmuar dy parti që të fitojnë ulëse në Kuvend, atë të komunitetit boshnjak “Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq” dhe “Inciativa Rome” nga komuniteti rom.

Nëse kandidatët apo partitë nuk pajtohen me vendimin e PZAP-it, ata mund të ankohen edhe në Gjykatën Supreme. /Insajderi.com