24 pjesëtarë të Policisë kanë vdekur si pasojë e infektimit me Coronavirus që nga 13 marsi i vitit 2020, prej kur edhe u shfaqën rastet e para me COVID-19 në Kosovë, njofton Insajderi.com.
Kështu bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në ceremoninë solemne të mbajtur me rastin e 22-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
Fillimisht u bën homazhe pranë lapidarëve të policëve të rënë në krye të detyrës për të vazhduar edhe me një minutë heshtje për nderim të kësaj.
Me këtë rast Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se kjo ditë do festohej ndryshe, por që si pasojë e pandemisë ishin të obliguar që organizimi të jetë simbolik, raporton EO.
Derisa tregoi për gjendjen me pandeminë në këtë institucion, Sveçla tha se shtatë mijë e 912 policë janë vaksinuar edhe një mijë e 268 janë në radhë për t’u vaksinuar.
“Sot është një ditë e shënuar, duke kremtuar kështu 6 shtatorin e vitit 1999-të me pranimin e kadetëve të parë. E sot numërojmë me mbi 9 mijë policë. Në këtë ditë kemi menduar të festojmë ndryshe këtë ditë duke bërë që nga pandemia të festohet me kufizime”, ka thënë ai.
“Nga 1 vit e gjysmë pandemi Policia gjithmonë ka qëndruar ne front vetëm e vetëm që të mbrojnë qytetarët, dhe fatkeqësisht kemi 24 policë te vdekur nga pandemia”, shtoi Sveçla. /Insajderi.com