
Seanca gjyqësore ndaj dy mjekëve në Elbasan të arrestuar si përgjegjës për vdekjen e 25 vjeçares pas lindjes, është shoqëruar me protesta dhe tensione.
Familjarët e të ndjerës kërkojnë drejtësi para dyerve të Gjykatës. Në protestën e tyre ata kanë marrë edhe foshnjën e porsalindur.
“Të mendojnë vetëm një gjë kur të mbushi kjo goca ime 1 vjeç, a do e festoj unë ditëlindjen. A do ia festojmë dot një ditëlindje. Nuk do ia festojmë dot se na kujtohet ngjarja tjetër.”-u shpreh burri i të ndjerës.
Kanë qenë të paktën 30 familjarë që protestuan para Gjykatës, ku u dha vendimi për dy mjekët e arrestuar, Nikollaq Thano dhe Mehmet Ibaj, për të cilët u caktua detyrim paraqitje.
Prokurori Xhelian Seferi pasi referoi para gjykatës hetimin e plotē të çështjes nē ngarkim tē dy mjekëve kërkoi që ndaj tyre të caktohej masa “Detyrim Paraqitje” .
Edhe Gjyqtarja Pajtime Fetahu pasi u tërhoq për vendim bëri me dije se la në fuqi kërkesën e Prikurorit.
Ndërsa Demir Çiftja , avokat i Mjekut Reanimator Nikollaq Thano, kërkoi lirimin e menjëhershëm të klientit të tij. Sipas avokatit, arrestimi i Reanimatorit Nikollaq Thano është i paligjshëm.
Edhe Ilir Murra, avokati i mjekut Kardiolog Mehmet Ibaj kërkoi lirimin e menjëhershëm të klientit të tij. Sipas avokatit Murraj ,arrestimi i mjekut kardiolog është i paligjshëm dhe ndaj tij nuk duhet të jepet asnjë masë.