26 vjet nga masakra e Srebrenicës

26 vjet nga masakra e Srebrenicës

Kanë kaluar 26 vjet nga masakra në Srebrenicë, e cila konsiderohet më e rënda në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, transmeton Insajderi.

Ndonëse enklava e Srebrenicës ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara, në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi tetë mijë burra dhe djem myslimanë.

Më 9 korrik 1995, udhëheqësi atëhershëm serbëve, Radovan Karagjiq lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Trupat rrethuan enklavën dhe sulmuan paqeruajtësit holandezë duke marrë peng 30 prej tyre.

Një ditë më pas, më 10 korrik, ushtarët serbë të Bosnjës filluan të bombardojnë Srebrenicën. Forcat holandeze kërcënuan serbët se do të kishte goditje ajrore të NATO-s, nëse nuk tërhiqeshin deri në mëngjes.

Dhe të nesërmen, avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe jashtë Srebrenicës. Forcat serbe kërcënuan të rifillonin bombardimin dhe të vrisnin ushtarët e kapur holandezë. Goditjet ajrore u ndalën dhe në mbrëmjen e 11 korrikut, komandanti i serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiç hyri në Srebrenicë, raporton KP.

Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u grumbulluan rreth bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të qytetit të Srebrenicës, pasi forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll zonën e sigurt.

Mlladiç u përpoq t’i qetësonte duke u thënë se nuk kishin pse të kishin frikë. Forcat serbe të Bosnjës i futën refugjatët e frikësuar nëpër autobusë, për kinse të largoheshin. Shumë nga refugjatët u evakuuan në Kladanj, 50 kilometra larg dhe prej andej filluan të ecnin për të gjetur një strehë të sigurt.

Kombet e Bashkuara vunë re se shumica e refugjatëve që mbërrinin nga Srebrenica ishin gra, fëmijë dhe të moshuar dhe filluan të shqetësohen për fatin e burrave.

Rreth 15 mijë ushtarë dhe civilë myslimanë të Bosnjës u larguan natën nga Srebrenica duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë vdiqën nga bombardimet dhe goditjet e snajperëve.

Gjatë javës pasoi rënia e Srebrenicës, rreth tetë mijë burra dhe djem mendohet se u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive. /Shqip.com